Kulturë

Dua Lipa ndër më të nominuarat, The Weeknd jashtë çmimeve Grammy


 

“Kjo nuk nuk duket e vërtetë! Gjashtë nominime për Grammy”, shkruan në Instagram këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, pasi mësoi se është e nominuar për gjashtë çmime Grammy.

Këngëtarja shqiptare është ndër artistët më të nominuar këtë vit, ku tre prej tyre lidhen me albumin e saj “Future Nostalgia, dy me hitin botëror “Don’t start now” dhe një për bashkëpunimin me këngëtarët e muzikës latine, J Balvin, Bad Bunny dhe Tainy.

Këto nominime lidhen me çmimet më të lakmuara nga artistët, si albumi i vitit, kënga e vitit, albumi më i mirë pop apo performanca pop më e mirë.

Dua nuk ka ngurruar të ndajë gjithë emocionet me ndjekësit e saj në Instagram. “Jam në shok. Faleminderit të gjithëve për dashurinë dhe suportin. ‘Future Nostalgia’ përgjithmonë”, shkruan ajo në postimin e saj.

E vetmja artiste me më shumë nominime se Dua, ka qenë Beyonce, me plot nëntë, ndërkohë që me gjashtë të tillë kanë qenë dhe ikona e muzikës “country”, Taylor Swift, si dhe artisti i ri Roddy Ricch.

Por publikimi i nominimeve për Grammy ka ndezur dhe debate shumë të ashpra në media sociale dhe në indrustrinë muzikore, pasi akademia e çmimeve prestigjoze ka lënë jashtë këngëtarin e njohur The Weeknd.

Ky i fundit ka prezantuar për publikun në Mars të këtij viti, albumin e tij të gjashtë, “After Hours”, i cili mori vlerësime të jashtëzakonshme nga industria muzikore dhe fansat. Të gjithë mediat sociale kanë parë në tendencë emrin e The Weeknd, pasi komuniteti muzikor nuk mund t’i besonte mungesës së emrit të tij në listën e të nominuarve.

Vetë The Weeknd, nëpërmjet një postimi në Instagram, ka shprehur indinjatën, duke shkruar: “Grammy-t mbeten të korruptuar. Më detyroheni mua, fansave të mi dhe industrisë transparencë”.

Artistë të shumtë kanë dalë në mbështetje të tij, duke shprehur habinë për këto nominime dhe duke hedhur dyshime mbi mënyrën si janë përzgjedhur artistët. Disa prej tyre e kanë quajtur padrejtësinë më të madhe në historinë e Grammy-ve.

Burime pranë këngëtarit, kanë bërë me dije nëpërmjet mediave të tyre sociale se kjo lidhet drejtpërdrejt me faktin se Grammy-t i vunë një ultimatum artistit, për të zgjedhur midis të performuarit në çmimet Grammy apo në Superbowl.

Në 12 nëntor, The Weeknd bëri me dije se do të jetë ai artisti i cili do të performojë në spektaklin e pushimit të ndeshjes së Superbowl-it, ngjarjes më të madhe sportive në ShBA.

“Blinding Lights”, hiti i The Weeknd i cili ka dominuar radiot dhe renditjet e këngëve në të gjithë botën, ka thyer të gjithë rekordet. Ajo ka qëndruar për 40 javë në Top 10 të renditjes Billboard dhe 26 javë në vend të parë të Radio Airplay. Rekordi i mëparshëm në Radio Airplay mbahej nga Goo Goo Dolls, me këngën e tyre Iris, në 1998-ën. Të dy këto renditje janë ndër më prestigjozet në ShBA.

Pavarësisht sukseseve të The Weeknd, ku nga shumë kritikë është cilësuar si artisti i vitit 2020, ai nuk do të ketë mundësi të shtojë një Grammy në koleksionin e tij të çmimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore