Shqipëria

Dua Lipa i bashkohet nismës së Bashkisë së Tiranës “Adopto një kopsht”


Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, e cila ka mbërritur në Tiranë, ku do të mbajë një koncert, ka zhvilluar dhe një takim me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Pas takimit në Bashki, ata u drejtuan për në Kopshtin Nr.42. në Tiranë, i cili pësoi dëmtime nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019.

Ajo i është bashkuar nismës së Bashkisë së Tiranës “Adopto një kopsht”.

Këngëtarja me famë botërore do të financojë restaurimin e plotë të këtij kopshti, me kapacitet 300 fëmijë, ndërsa vijojnë punimet për restaurimin e tij.

Më herët, në mjediset e Bashkisë së Tiranës, Veliaj dhe këngëtarja shkëmbyen dhurata simbolike mes njëri-tjetrit.

Veliaj i ka dhuruar këngëtares një targë simbolike “Dua 100”, si dhe kapelën, simbol i “gruas tironse”.

Gjithashtu edhe diskun muzikor me këngë popullore të Shqipërisë së Mesme, realizuar në 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet.

Nga ana tjetër, artistja i dhuroi Veliajt albumin e saj të fundit, “Future Nostalgia”, i cili renditet në top-dhjetëshen e këngëve më të dëgjuara.

Artistja u takua edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Ndërkaq, nga burime pranë Albanian Post mësohet se Dua Lipa, e cila është e shoqëruar nga i dashuri dhe një pjesë e ekipit të saj, do të qëndrojnë të paktën deri në fundjavën e ardhshme në Shqipëri.

Gjatë kësaj vizite, ajo do të zhvillojë disa vizita, në lokacione me rëndësi për trashëgiminë kulturore shqiptare dhe pjesën tjetër të kohës do ta kalojë në një prej resorteve luksoze.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore