Pajisje

Dronet që mbuluan qiellin e Hadera-s në Izrael


Qielli i Hadera-s, qytet në Izrael, është mbushur nga dronet shpërndarës gjatë testimit të tyre teksa autoritetet kombëtare testuan një dhomë qendrore kontrolli për koordinimin e sigurt të avionëve të vegjël pa pilot mes njëri-tjetrit.

Agjencia e lajmeve, Reuters, zbulon se testimi i droneve shpërndarës ka ardhur si pasojë e frikës së shtuar nga përplasja e tyre në ajër ose përplasje të tjera që mund të shkaktojnë viktima në tokë.

Kjo pasi popullariteti i droneve të lirë e me fluturim të ulët është rritur për shkak të potencialit të tyre për të transportuar gati çdo gjë, që nga picat tek ilaçet ndërmjet bizneseve dhe shtëpive.

“Kjo është një mundësi për rregullatorët të mësojnë se çfarë është e nevojshme në vendosjen e droneve shpërndarës si një realitet ditor dhe që operatorët e droneve të mësojnë se çfarë pritet prej tyre nga ana tjetër”, është shprehur Hegit Lidor, nga Autoriteti i Inovacionit në Izrael, e cila është një nga agjencitë shtetërore të përfshira në provë.

Kjo ishte prova e parë e drejtpërdrejtë e një faze testimi dy vjeçare. Hapësira ajrore e Hadera-s iu kalua pesë firmave private, të cilat lëshuan dronet në fluturime të kryqëzuara për të provuar përgjigjet e një dhome kontrolli të vendosur në qytetin Haifa, e cili ndodhej 56 kilometra larg.

Dronet u ngjitën 20 herë në të njëjtën kohë, jo më shumë se 120 metra mbi tokë dhe jo më pak se 60 metra larg. Për t’i mbajtur dronet të sigurt, stafi i dhomës së kontrollit u dërgoi njoftime dhe udhëzime të ridrejtimit operatorëve të tyre në mënyrë elektronike.

“Për herë të parë, ne po menaxhojmë hapësirën ajrore si një entitet të vetëm duke sintetizuar operatorët e droneve me aviacionin civil dhe ushtarak të vendosur”, ka shtuar Lidor.

Edhe nëse do të ndodhnin keqfunksionime, dronet ishin të pajisur me parashuta për të pasur nje ulje të sigurt.

Reuters tregon se Lidor ka thënë se dërgesat e rregulluara të droneve komercialë në Izrael nuk kishin gjasa para vitit 2023. Ky është momenti kur testimi do të përfundojë dhe çështjet e lidhura me legjislacionin do të adresohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore