Shqipëria

Droga e sekuestruar përllogaritej në 1 milion euro, detajet nga arrestimi i Kajmakut


Operacioni i antidrogës nga Karabinierët e Compagnia di San Benedetto në Itali sekuestroi rreth njëzet kilogramë.

Kjo e fundit, e përkthyer në vlerën e tregut shkon rreth 1 milion euro.

Detajet e aksionit nga arrestimi i ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, i zbulojnë mediat vendase.

Dhjetëra kilogramë kokainë u zbuluan në një çerdhe përgjatë Valtesino-s, në Grottammare.

Sasia e madhe fshihej mes vazove të veprimtarisë së kopshtarisë, pa dijeninë e pronarëve.

Ata nuk e dinin se kopshti i tyre ishte kthyer në një strehë për ruajtjen e sasive të drogës me destinacion Rivierën Picene dhe më gjerë.

Së bashku me ish-kryebashkiakun e Vorës është arrestuar dhe një person tjetër.

Agim Kajmaku dhe bashkëpunëtori i tij, sipas mediave italiane, janë në burg, në dispozicion të Prokurorit të Fermos.

Policia e Shtetit në Itali nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment të Albanian Post.

Ndërtimi i ngjarjes

Ish-kryebashkiaku shqiptar ishte nën vëzhgim të rreptë nga ana e autoriteteve italiane.

Policia italiane, shkruajnë mediat, kishte montuar kamera në disa akse dhe banesa në lagjen ku kryheshin bisedat dhe takimet për trafikun e drogës.

Autoritetet kanë kërkuar gjithashtu informacione te autoritetet shqiptare në lidhje me shtetasin Agim Kajmaku, i cili ka qenë ndër personat më të rinj që i është bashkuar grupit.

Emri i Kajmakut daton në zgjedhjet lokale të vitit 2019.

Asokohe, ato u zhvilluan vetëm me një parti pasi opozita vendosi të bojkotojë procesin.

Kajmaku garoi për postin e kryebashkiakut të Vorës ku do të fitonte këtë post në një garë pa rival.

Partia Demokratike zbuloi se ai kishte qenë i dënuar në Greqi për falsifikim parash dhe e denoncoi menjëherë këtë fakt.

Kjo, pasi Kajmaku duhet ta kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e shkarkoi nga detyra dhe menjëherë Policia e shpalli në kërkim.

Pasi qëndroi 8 muaj në arrati, Agim Kajmaku u arrestua në një spital privat ku kishte shkuar për problem shëndetësore.

Por një ditë pas arrestimit, në 8 korrik të vitit 2020 Gjykata e Apelit liron ish-kryebashkiakun e Vorës.

Apeli caktoi më pas masën ‘detyrim paraqitje’ për Kajmakun pasi vetë Prokuroria e Përgjithshme kërkoi zbutjen e masës së sigurisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore