Përballje

Drita rikthehet te fitorja, mposht bindshëm Dukagjinin


Skuadra e Dritës është rikthyer te fitorja pas humbjes në derbi ndaj Gjilanit, të cilët mposhtën Dukagjinin me rezultat 4:0, në ndeshjen e fundit të xhiros së 16-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll.

Gjilanasit e nisën shumë mirë takimin, të cilët kaluan në epërsi qysh në minutën e tetë, me golin e shënuar nga Arbnor Muja.

Drita pati mundësi të mira për të thelluar akoma më shumë epërsinë në pjesën e parë, por Simonovski shpërdoroi disa raste të mira për gol.

Dukagjini mbeti me një futbollist më pak në fushë, pasi që në fundin e pjesës së parë, Altin Merlaku u ndëshkua me karton të kuq, pas ndërhyrjes së rrezikshme ndaj Ardian Limanit.

Mundësinë më të mirë për të dyfishuar shifrat e pati Almir Ajzeraj, por ai nuk u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, me skuadrat që shkuan në pushim me rezultat 1:0.

Tabela pas javës së 16-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll

Edhe pjesa e dytë i takoi vendasve, të cilët dominuan në përgjithësi lojën, duke arritur të shënojnë edhe tre gola të tjerë, përkundër se kishin mundësi për të shënuar edhe më shumë.

Arbnor Muja gjeti rrjetën e dytë personale në minutën e 62-të, i cili shënoi pas një depërtimi të mirë në zonë.

Gjashtë minuta para se të përfundojë koha e rregullt Riel Blakcori realizoi golin e tretë për Dritën, pas një pakujdesie nga portieri i Dukagjinit, Haxhihamza.

Derisa, në minutat shtesë të ndeshjes, Ardit Tahiri shënoi edhe golin e katërt të Dritës, për rezultatin përfundimtar 4:0.

Me këtë fitore, Drita ngjitet në vendin e tretë në tabelë, me 28 pikë të grumbulluara, dy më pak se lideri Ballkani dhe një më pak se Gjilani i vendit të dytë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore