Përballje

Drita dhe Llapi nisin aventurën në “Europa Conference Leauge”


Pas Prishtinës, tani edhe skuadrat e tjera kosovare, Drita e Llapi, do të nisin aventurën e tyre në Kupat e Evropës.

Drita dhe Llapi do të zbresin në fushë këtë të enjte, në garën më të re të UEFA-s, për klube, e cila quhet “Europa Conference Leauge”.

Drita do të ballafaqohet me ekipin shqiptar nga Mali i Zi, FC Decic, ndeshje që do të zhvillohet me fillim nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Shefi i shtabit teknik të Dritës, Ardian Nuhiu, ka thënë që skuadra e tij është gati për ndeshjen e parë ndaj skuadrës nga Mali i Zi, FC Decic, si dhe u shpreh optimist që ekipi i tij do ta kalojë me sukses sfidën e parë.

“Kemi analizuar kundërshtarin, jemi të vetëdijshëm se për çfarë ekipi bëhet fjalë dhe mendoj që skuadra jonë ka cilësi dhe kualitet për t’u kualifikuar më tej”, theksoi Ardian Nuhiu në konferencën për media.

FC Decic është një skuadër, e cila sezonin e kaluar e mbylli në vendin e dytë të Superligës së Malit të Zi, që gjithashtu ishin edhe finalistë të kupës në edicionin e kaluar.

Vlera totale e ekipit nga Tuzi, sipas “transfermarkt”, shkon në 3.3 milionë euro, ndërsa ajo e Dritës kap vlerën e 3.08 milionë eurove.

Në ndeshjen tjetër, skuadra e Llapit do të jetë mysafir i Shkupit, që do të ballafaqohen në stadiumin “Arena Todor Proeski” me fillim nga ora 20:00 në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.

Llapi merr pjesë në këtë garë pasi që fitoi Kupën e Kosovës në edicionin e kaluar, ndërsa Shkupi garon në këtë garë, pasi që u shpall nënkampion i Maqedonisë së Veriut.

Në konferencën për media, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, e sheh Shkupin si favorit, por ai tha se do të luftojnë për rezultat pozitiv.

“Mendoj që është një përshtypje e veçantë me faktin që Llapi luan në një garë siç është Konferencë Liga dhe luan ndaj një skuadre shqiptare”.

“Favorit është Shkupi sepse ka luajtur më parë në arenën ndërkombëtare, por futbolli nuk ka të bëjë me atë se sa herë merr pjesë. Futbolli bashkëkohor ka ndryshuar dhe ne do të bëjmë maksimumin”, theksoi Tahir Batatina.

Sipas prestigjiozes “transfermarkt”, klubi i Shkupit ka një vlerë prej 4.6 milionë euro, derisa skuadra nga Podujeva vlerësohet me 2.9 milionë euro.

Mbetet për t’u parë sesi do të fillojnë edicionin e parë në “Europa Conference Leauge” ekipet kosovare.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore