Sport

Dridhet stoli i Lampard


Chelsea duket se po kalon një moment jo fortë të mirë në Premier Ligë, ku në pesë ndeshjet e fundit ka arritur të marrë vetëm një fitore, një barazim dhe tre humbje, kundër rivalëve direkt si Everton-i, Wolves-i dhe Arsenal-i.

Në pesë ndeshjet e fundit, Chelsea humbi minimalisht 1-0 me Everton-in, 2-1 me Wolves-in, bëri një kthes në derbi kundër West Ham-it, duke fituar 3-0, por përsëri ndeshjen e radhës kundër Arsenal-it u rikthye te humbja, duke humbur me rezultatin 3-1 dhe për të ardhur tek ndeshja e djeshme kundër Aston Villa-s, të cilën e barazoi me rezultatin 1-1.

Trajneri Frank Lampard, në fillim të sezonit krijoi grupin me lojtarët që dëshironte. Chelsea për të plotësuar kërkesat e Lampard, investoi rreth 250 milionë euro në verë, për të siguruar shërbimet e Kai Havertz-it, Timo Werner-it, Ben Chilwell-it, Hakim Ziyech-ut dhe Edouard Mendy-it.

Ndeshjet e radhës kundër Manchester City-t, Fulham-it dhe Leicester-it, pritet të jenë vendimtare për ecurinë e Lampard në krye të pankinës së bluve të Londrës.

Momentalisht, Chelsea është në vendin e gjashtë me 26 pikë, pas 16 javësh. Po 26 pikë kanë edhe Aston Villa e vendit të pestë, por me dy ndeshje më pak, Tottenham-i i vendit të shtatë, me një ndeshje më pak dhe Manchester City i vendit të tetë, me dy ndeshje më pak./AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore