Shqipëria

Drejtori i DPSHTRR-së vendos në dispozicion autobusë për transferimin e afganëve


Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, lendi Gonxhja, të martën e 17 gushtit ka bërë me dije se ka vendosur në funksion autobusë për transferimin e afganëve.

“Ekipi im, i ndihmuar nga operatorët shqiptarë të autobusëve, do të jetë i privilegjuar t’i shërbejë këtij akti humanitar të Ambasadës Amerikanë në Tiranë dhe qeverisë shqiptare”.

Më tej nëpërmjet një postimi në median sociale Twitter, Gonxhja bëri me dje se është detyrë e strukturave të shtetit transferimi i mysafirëve afganë në akomodimin e tyre të përkohshëm në Tiranë dhe Durrës.

Brenda 24 orëve të 17 gushtit pritet të mbërrijë në Shqipëri, avioni i parë me afganë.

Burimet zyrtare për Albanian Post (AP), kanë konfirmuar se po përgatiten për mbërritjen e grupit të parë me afganë, për tu strehuar në Tiranë dhe Durrës.

Do të jetë qyteti i Tiranës dhe ai i Durrësit të cilët do të mirëpresin 250 emigrantë afganë, brenda pak ditësh.

Sipas burimeve diplomatike për Zërin e Amerikës, bëhet fjalë për përkthyesë dhe bashkëpunëtorë të niveleve të ndryshëm të strukturave amerikane në Afganistan.

Ata do të transferohen së bashku me familjet e tyre.

Më 15 gusht kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ju është përgjigjur pozitivisht kërkesës së SHBA-ve për të strehuar afganët në Shqipëri.

“Nuk e ka shqiptaria një histori më të lavdishme për botën, se sa marrja në mbrojtje e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore”.

Në përmbyllje, ai e fakton se SHBA-të i kanë kërkuar Shqipërisë ta vlerësojë ndihmën që mund të japë me strehimin e afganëve. Kjo gjithsesi, si një procedurë tranziti, me destinacion të fundit Amerikën.

Po ashtu dhe ministrja Pёr Evropën dhe Punёt e Jashtme, Olta Xhaçka i ёshtё pёrgjigjur Sekretarit tё Shteteve tё Bashkuara nё median sociale Twitter, se Shqipёria ёshtё gati tё strehojё afganё jeta e tё cilёve ёshtё nё rrezik, nga marrja e pushtetit tё Talebanёve.

Çfarë ka ndodhur deri tani?

Dhuna është përshkallëzuar në të gjithë Afganistanin pas tërheqjes tërësore të trupave amerikane, 20 vjet pas fillimit të operacionit ushtarak.

Talebanët zaptuan me shpejtësi zona të mëdha fshati dhe synuan qytete.

Të dielën e 15 gushtit talebanët mësyn në Presidencën e AfganistanitKështu ata morën kontrollin e kryeqytetit, Kabul.

Presidenti i vendit, Ashraf Ghani, u largua nga Kabuli, duke lënë popullin në duart e talebanëve.

Sipas tij largimi erdhi “për të shpëtuar kryeqytetin dhe qytetarët e tij nga gjakderdhja”.

Kush janë talebanët?

Talebanët, ose “studentët” në gjuhën Pashto, u shfaqën në fillim të viteve 1990 në Pakistanin verior pas tërheqjes së trupave sovjetike nga Afganistani.

Në shtator 1995 ata pushtuan krahinën e Herat-it, në kufi me Iranin, dhe saktësisht një vit më vonë ata kapën kryeqytetin afgan, Kabul – duke përmbysur regjimin e presidentit, Burhanuddin Rabbani.

Deri në vitin 1998, talebanët kishin nën kontroll gati 90% të Afganistanit. Ndërsa forcat e huaja të udhëhequra nga SHBA-të filluan tërheqjen nga Afganistani pas 20 vitesh lufte, talebanët nisën të merrnin nën kontroll vendin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore