Lajme

Drejtori i Anti-mafias Italiane: Trafikantët shqiptarë po punojnë për Ndrangheta-n


Drejtori i Përgjithshëm i Departamentit të Anti-mafias Italiane (DIA), Maurizio Vallone, është shprehur se mafia shqiptare, po punon për mafien kalabreze të Ndrangheta-s, në tregun e drogës.

Deklarata e tij vjen gjatë një takimi në 30-vjetorin e Departamentit të Hetimit anti-mafia Genova.

“Për mbi 30 vite rajoni i Ligurias ka pasur praninë e të gjitha mafieve. Por hetuesit kanë arritur të përballen me infiltrimin”, tha Vallone.

Sipas tij, Genova është një port që, kohët e fundit, ka qenë nën mbikëqyrje të ngushtë nga hetuesit, çka e dëshmojnë sasitë e mëdha të drogës të sekuestruara.

Për të, aty ky ka më shumë sekuestrime, tregon se ka edhe më shumë vëmendje nga ana e organeve ligjzbatuese.

“Konfiskimet e fundit në Genova nuk tregojnë domosdoshmërisht se ka pasur rritje të trafikut të drogës përmes kësaj pike, por se kapacitetet hetimore janë përmirësuar. Krimi i organizuar duhet goditur”, finalizoi ai deklaratën e tij.

Vallone ka folur shpesh për atë që ai e quan “komandimi i mafies në kryeqytet”.

Në të gjithë eksperiencën e tij si efektiv në radhët e drejtësisë, ai tregon sesi ka ndryshuar edhe koncepti i mafies në këto 30 vite.

Sipas tij, mafiozët nuk janë vetëm ata që vrasin kundërshtarin ose policin, por ata që kanë një post të rëndësishëm së bashku me një zyrë pastrimi të parave.

“Detyra jonë tani është të ndjekim ku shkojnë paratë, flukset financiare, investimet në kompani dhe tregje ndërkombëtare, sepse vetëm në këtë mënyrë – duke u hequr paratë organizatave mafioze – mund t’ua heqim pushtetin”, thotë drejtori për “Corriere della Cita”.

I pyetur se cilat janë grupimet më mafioze që sundojnë në Romë dhe provincat përreth saj, ai shprehet se ka shumë dallime mes tyre.

“Ka shumë ndryshime mes mafies në jug, në krahasim me atë që mund të gjesh këtu apo në veri. Para së gjithash, ne duhet të zhbëjmë një mit”.

Për Vallone-n, “Ndrangheta” në veri të Italisë ka më shumë klube nate të menaxhuara, ndërsa infiltrimi i famëkeqes Comorra dhe mafies në përgjithësi në Romë është më i madh se sa dihet.

Lloji i strukturës kriminale që qeveris Romën nuk është si ajo e Napolit, ku për momentin dy klane shumë të fuqishme të Camorra-s ndajnë territoret.

Një nga dy grupet është ai i të ashtuquajturve “Magliari”, “magjistarët” e gënjeshtrës, të cilët menaxhojnë biznesin e qindra milionë eurove në vit.

Nuk mund të mungonte as përmendja e mafies shqiptare, e cila për të ka rritur bashkëpunimin me atë italianen.

Por, Vallone nuk beson se mafia shqiptare është një kundërshtare për atë në Itali, pasi sipas tij, kryesisht shqiptarët, përdoren nga kokat e mafies italiane për të kryer punë të atilla që shmangin përfshirjen e bosëve të mëdhenj.

Në intervistë drejtori ka shpjeguar se si droga vjen nga Kolumbia dhe kalon pa problem në Itali.

“Vjen kryesisht përmes megakontejnerëve nga Kolumbia, ku ndalesa e parë është Venezuela, pastaj prej andej, përmes vendeve të tjera të Amerikës së Jugut, mbërrijnë në Afrikë, mundësisht përmes Guinea Bissau, ku kodet në kontejnerë janë ndryshuar plotësisht”, shpjegon ai.

Vendi i mafies shqiptare në tregun e kokainës

Mafia shqiptare e ka siguruar vendin e saj në tregun e kokainës evropiane.

Kështu shkruan e përditshmja italiane “Il Post”, sipas së cilës kjo mafie po rritet me hapa galopantë.

Gjatë viteve 2018 – 2020, shumica e arrestimeve për akuzën e trafikimit të lëndës narkotike kokainë, përfshinin shtetas shqiptarë.

Përkatësisht, 226 persona. Duke kaluar kështu arrestimet e brazilianëve dhe kolumbianëve.

Me rritjen e numrit të arrestimeve u rrit edhe cilësia në menaxhim.

Shqiptarët, sipas “Il Post”, tashmë janë të strukturuar, duke ndërtuar marrëdhënie më solide, si me trafikantët në Amerikën e Jugut, ashtu edhe me ata në Itali.

“Mafia shqiptare, si një hallkë lidhëse, është imponuar kudo”, shkruhet në artikull.

Në një shikim nga e kaluara, vetë raporti i Europol-it, tregoi se ajo kontrolloi një pjesë të madhe të tregut britanik të kokainës.

Por, për arsye logjistike dhe afërsie, vendi ku biznesi po lulëzon më shumë është Italia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore