Pajisje

Drejtori ekzekutiv i Ericsson-it lobon për kompaninë Huawei në Suedi


Drejtori ekzekutiv i kompanisë suedeze Ericsson, Borje Ekholm, ka lobuar tek një ministër suedez që të mundësohej përfshirja e kompanisë Huawei në sistemin 5G të vendit.

Ekholm ka komunikuar me ministren e Tregtisë së Jashtme, Anna Hallberg përmes një serie mesazhesh telefonike për të rishqyrtuar një vendim nga Autoriteti Postar dhe i Telekomunikacionit Suedez (APT).

Ky vendim detyron operatorët që të heqin kompanitë kineze nga infrastruktura ekzistuese e përdorur për frekuencat e sistemit 5G deri në janar 2025.

Kompania suedeze e telekomunikacionit arrin rreth 10% të shitjeve të saj në Kinë.

Ericsson është rivali më i madh i Huawei-t në tregun e pajisjeve radio-telefonike.

Kina ka paralajmëruar që kompanitë suedeze mund të kenë pasoja negative nga ndalimi i Huawei-t nëse vendimi nuk do të rishqyrtohet.

Kryeministri suedez, Stefan Lofven, ka deklaruar ndërkohë se qeveria mbështet vendimin e APT-së.

Ndalimi i kompanisë Huawei u bazua në një vlerësim të policisë dhe agjencive ushtarake suedeze, i cili arriti në përfundimin se ndikimi i shtetit kinez mbi sektorin privat mund t’i detyrojë kompanitë private të veprojnë në përputhje me qëllimet e shtetit dhe strategjitë kombëtare të partisë komuniste./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore