Lajme

Drejtorët e Shell-it paditen për strategjinë ‘e pamjaftueshme’ klimatike


Drejtorët e kompanisë Shell janë paditur personalisht për strategjinë e tyre klimatike.

Për këtë të fundit, pretenduesit janë të mendimit se është e pamjaftueshme për të përmbushur objektivat klimatike.

Dhe se e vë kompaninë në rrezik teksa bota kalon në energji të pastër.

Ndaj ClientEarth ka ngritur padi kundër 11 drejtorëve në Gjykatën e Lartë në Angli, duke e bërë këtë rastin e parë në botë që kërkon të bëjë përgjegjës drejtorët për dështimin në përgatitjen e duhur të kompanisë së tyre për tranzicionin.

ClientEarth, i cili ka aksione simbolike në Shell, është duke paditur sipas Aktit të Kompanive në Mbretërinë e Bashkuar dhe mbështetet nga një grup fondesh të mëdha pensionesh dhe investitorë të tjerë institucionalë.

Po ashtu argumenton se një tranzicion global drejt energjisë me karbon të ulët është i pashmangshëm pasi qeveritë botërore veprojnë për t’i dhënë fund krizës klimatike.

Dhe se dështimi i Shell-it për të ecur mjaftueshëm shpejt kërcënon suksesin e kompanisë dhe do të shpërdoronte paratë e investitorëve në projekte të panevojshme të karburanteve fosile.

Së fundmi, kompania ka njoftuar një fitim vjetor rekord prej 40 miliardë dollarësh, i nxitur nga çmimet e larta të energjisë që rezultuan nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

E teksa proceset gjyqësore për klimën rriten në të gjithë botën, kompania ka pësuar një sërë sfidash ligjore dhe rregullatore të kohëve të fundit.

Këto përfshijnë një urdhër të gjykatës holandeze për të ulur emetimet nga nafta dhe gazi me 45 për qind deri në vitin 2030 dhe një pretendim se Shell-i po investon më pak në energjinë e gjelbër nga sa pretendon.

Ndërkohë, Nest – skema më e madhe e pensioneve në vendin e punës në Mbretërinë e Bashkuar me 10 milionë anëtarë – e ka mbështetur padinë.

“Investitorët duan të shohin veprime në përputhje me rrezikun që paraqet ndryshimi i klimës dhe do të sfidojnë ata që nuk po bëjnë mjaftueshëm”, ka theksuar Mark Fawcett, shefi i investimeve në Nest.

ClientEarth po i kërkon Gjykatës së Lartë të urdhërojë bordin e Shell-it të miratojë një strategji për të menaxhuar rrezikun e klimës në përputhje me detyrat e saj sipas Aktit të Kompanive dhe në përputhje me urdhrin e gjykatës holandeze për shkurtime të mëdha në emetime.

Tani, Gjykata e Lartë do të vendosë nëse kërkesa e ClientEarth do të vazhdojë.

Këtë muaj, kompania është paditur gjithashtu në Gjykatën e Lartë të Londrës nga 14 mijë njerëz nga dy komunitete nigeriane, të cilët pretendojnë se Shell-i është përgjegjës për ndotjen shkatërruese të burimeve të tyre të ujit.

Por Shell-i ka thënë se nuk mban asnjë përgjegjësi për nxjerrjen e naftës nga tubacionet e saj nga bandat e organizuara, për të cilat thotë se shkakton shumë prej derdhjeve.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore