Lajme

Drejtoresha e BE-së për Evropë dhe Azinë Qendrore mbështet planin e OSBE-së për Veriun


Angelina Eichhorst

Angelina Eichhorst – Drejtoreshë Menaxhuese për Evropën dhe Azinë Qendrore e Bashkimit Evropian është pajtuar me propozimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), për de-përshkallëzimin e situatës në Veri të Kosovës, pas tensioneve të krijuara atje

Eichhorst përmes një cicërime në rrjetin social “Twitter”, tha se pas mesazheve të qarta të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në emër të BE-së, OSBE-ja ka bërë një propozim të qartë për të ecur përpara në normalizimin e situatës në mes të dy vendeve.

“Pas mesazheve të qarta të Josep Borrell-it në marrëveshje të plotë me të gjitha shtetet anëtare të BE-së, tani edhe OSBE-ja me një plan të qartë për uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë”, shkroi ajo në Twitter.

Ndryshe, Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në cilësinë e kryesuesit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ka publikuar nëntë pika të cilët duhet ta ndjekin Kosova dhe Serbia për të de-përshkallëzuar situatën në Veri të Kosovës.

Pika e parë për shtensionimin e situatës në Veri, kërkon nga Kosova dhe Serbia të rikonfirmojnë përkushtimin e tyre ndaj Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

Pika e dytë kërkon që Qeveria e Kosovës të tërheqë forcat e Njësisë Speciale nga Veriu ndërsa në anën tjetër Serbia të ulë gatishmërinë luftarake të Forcave të Armatosura.

Policia e Kosovës, thotë më tej pika e tretë, duhet të merret me sigurinë në terren në pjesën veriore nën asistimin e KFOR-it dhe EULEX-it.

Në pikën e katër të udhërrëfyesit për de-eskalimin e situatës në Veri, kërkohet anulimi i protestave dhe rrjedhimisht rifillimi i jetës normale në këtë pjesë të vendit, pasi që rikthehen në funksion shërbimet e komunave për qyetatarët ku në komuna aksesi u jepet vetëm punonjësve komunal.

Pika e pestë e planit të OSBE-së thotë në mënyrë të qartë se kryetarët e sapozgjedhur në Veri japin dorëheqjen në verën e vitit 2023, duke i hapur rrugë kështu zgjedhjeve të parakohshme komunale.

Pika e gjashtë saktëson se zgjedhjet e parakohshme komunale në Veri mbahen këtë vit.

OSBE-ja mbështet procesin zgjedhor, duke rritur legjitimitetin dhe besimin ndërmjet komuniteteve, thotë pika e shtatë.

Pika e tetë tregon se OSBE-ja angazhon të rinj në programet dhe proceset e pajtimit.

Pika e nëntë qartëson se OSBE-ja mbështet zbatimin me mirëbesim të dispozitave të dakorduara dhe rifillimin e dialogut kuptimplotë.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, menjëherë pas takimit joformal 10-minutësh ndërmjet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe homologut të saj serb, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se Franca dhe Gjermania, u kanë kërkuar autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë që të mundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe.

Ndërsa Borrell, i cili ishte pjesë e këtij takimi, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Twitter”, do të tregonte tri kërkesat që ia kanë paraqitur të enjten Franca dhe Gjermania presidentes Osmani dhe të cilat, autoritetet kosovare duhet t’i përmbushin menjëherë ngase në të kundërtën “do të ketë pasoja serioze” për shtetin më të ri në Evropë.

“Zgjedhje të reja në veri menjëherë, garantimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës dhe nisja e punës për themelimin e Asocicionit të Komunave me Shumicë Serbe. Dështimi për të bërë këtë, do të ketë pasoja serioze për marrëdhëniet tona”, shkroi Borrell.

Ndërsa, nga na tjetër, Shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, përmes një komunikate për media, ka kërkuar në mënyrë imediate që Kosova dhe Serbisë të marrin masa për të de-përshkallëzuar situatën në Veri të Kosovës.

Borrell, në emër të 27 vendeve anëtare të Unionit, ka kërkuar gjithashtu nga Kosova dhe Serbia të ndalojnë përdorimin e retorikës përçarëse dhe të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar.

“Qetësia duhet të rivendoset urgjentisht. BE-ja është i gatshëm të zbatojë masat e vendosura. Dështimi për të de-përshkallëzuar tensionet do të çojë në pasoja negative.”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Unioni.

Diplomati spanjoll ka përsëritur gjithashtu edhe pikat të cilat duhet t’i zbatojë Kosova në mënyrë që të shtensionohet situata në pjesën veriore të Kosovës.

“Presim që Kosova të veprojë në mënyrë jo shkallëzuese dhe të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Kryetarët e komunave duhet t’i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale. Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje”.

Borrell eksplicit: Të shpallen zgjedhjet, policia të largohet menjëherë

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore