Lajme

Drejtimi i Irakut i kalon Italisë


Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i ka kaluar kontrollin e Irakut dhe luftën anti-ISIS ushtrisë italiane. Kjo e fundit do të ketë kontingjentin ushtarak më të madh, i cili do të koordinojë frontin e NATO-s, të përbërë nga 4 mijë trupa.

SHBA-ja do të braktisë zyrtarisht misionin në Irak duke tërhequr ushtarët e saj. Rrjedhimisht, Italia merr kontrollin për shkak të prezencës së madhe në vendin e Lindjes së Mesme.

Të mbetur në mision do të jenë 4 mijë ushtarë evropianë dhe kanadezë. Lufta ndaj Shtetit Islamik do të përballohet nga ky kontingjent.

Më me rëndësi ndërkohë, është frenimi që këta të fundit duhet t’i bëjnë ndikimit të Iranit në Bagdad.

Kjo luftë e dyfishtë do t’i vendosë një barrë të lartë mbi supe shtetit Italian. Kryeministri italian, Mario Draghi, mësohet se ka emëruar edhe drejtuesin e këtij misioni. Ai do të jetë Pietro Serino, gjeneral i Trupave të Armatosura.

Italia ka pasur ndikim të lartë me rolin e saj në rajon. Ministri i Mbrojtjes në Itali, Lorenzo Guerini, e ka vizituar katër herën Irakun gjatë vitit të fundit. Në një mbledhje të NATO-s, atij i është dhënë fjala i dyti në radhë, pas përgjegjësit të Pentagonit.

Kjo tregon se Italia e ka marrë seriozisht delegimin e misionit nga SHBA-ja drejt shtetit apenin. Iraku cilësohet gjithashtu si kufiri oriental i Mesdheut të zgjeruar. Roma zyrtare është shumë e përfshirë në drejtimin e rajonit mesdhetar, për shkak edhe të pozicionimit gjeografik.

Në këtë prizëm hapësinore, çelësi i lojës është zotërimi i resurseve energjetike dhe siguria ndaj terrorizmit islamik. Në këtë sferë, italianët kanë qenë gjithnjë lojtarë të përfshirë drejtpërdrejtë.

Këtë herë, me një rol të rëndësishëm drejtues, në një mision ndër më të mëdhenjtë në Lindjen e Mesme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore