Lajme

Drejt 2030: Energjia e rinovueshme në fokusin e BE-së


Përmes një njoftimi në Twitter, Komisioni Evropian, paralajmëroi se kjo javë do të jetë e dedikuar për tematikën e energjisë së rinovueshme brenda sferës evropiane – përfshi Komisionin dhe Bashkimin Evropian.

I gjithë blloku do të jetë i angazhuar me aktivitete nga data 25 deri në datën 29 tetor sa i takon politikave klimatike apo organizimeve rinore që do të jenë përmbyllëse e javës.

E hëna e 25 tetorit do të nisë me hapjen e edicionit të 16-të të Javës së Energjisë së Qëndrueshme të BE-së me temën “Drejt vitit 2030: Riorganizimi i Sistemit Evropian të Energjisë”.

Protagonistët e ditës hapëse do të jenë Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, dhe Komisioneri për Energjinë, Kadri Simson.

Edhe këtë vit, konferenca katërditore do të jetë e organizuar në një format virtual, me 32 sesione të ndryshme dhe 40 bisedime për energjinë.

Nga këto takime pritet të shihet nga afër se si sektori i energjisë mund të japë një kontribut vendimtar në reduktimin e emetimeve të gazeve serrë në BE me të paktën 55% deri në vitin 2030.

Pikat kryesore të programit të këtij viti përfshijnë ceremoninë e ndarjes së Çmimeve me 5 kategori të ndryshme.

Folësit e ftuar gjatë javës përfshijnë Administratorin e Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, Achim Steiner dhe klimatologun e mirënjohur Jean-Pascal van Ypersele.

Jean-Pascal van Ypersele
Situata e energjisë së rinovueshme

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), gjatë muajit maj doli në përfundimin se industria botërore e energjisë së rinovueshme u rrit me ritmin e saj më të shpejtë vitin e kaluar.

Pavarësisht nga vështirësitë që ka shkaktuar pandemia, kjo rritje nuk ishte parë që prej vitit 1999.

Vëzhguesi global i energjisë zbuloi se shpërndarja e projekteve të energjisë së rinovueshme, duke përfshirë mullijtë e erës dhe projektet e energjisë diellore, u rrit me 45% vitin e kaluar duke bërë një përparim për industrinë globale.

Kapaciteti i energjisë së erës u dyfishua gjatë vitit të kaluar. Ndërsa energjia diellore u rrit me gati 50% më shumë se rritja e saj para pandemisë.

Kjo e fundit ka ardh për shkak të dëshirës në rritje për energji të pastër nga qeveritë dhe korporatat.

Shqipëria dhe energjia e rinovueshme

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore në Shqipëri (AKBN) bëri me dije në muajin shtator se 29 kompani kanë marrë miratimin paraprak ose përfundimtar për ndërtimin e impianteve të prodhimit të energjisë nga dielli dhe era.

Në këtë mënyrë do të shihet, sipas agjencisë, edhe një rritje e kapaciteteve gjeneruese ne vend.

AKBN-ja njoftoi gjithashtu se deri në fund të këtij viti pritet certifikimi i 12 impianteve fotovoltaikë.

Detajet mbi statusin e këtyre miratimeve u bënë me dije gjatë workshop-it “Promovimi i masave evropiane për energjinë e rinovueshme të qëndrueshme”.

Fokusi i këtij projekti, të financuar nga Bashkimi Evropian, ishte rëndësia e energjisë së rinovueshme.

Shtetet të përfshira në këtë projekt janë Italia, Shqipëria dhe Mali i Zi.

Më mirë se vendet e rajonit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar më herët se dy termocentralet e mëdha diellore që Voltalia do të ndërtojë, do ta çojnë Shqipërinë në krye të Ballkanit në këtë sektor.

Rama shprehu ambicien që vendi të bëhet një kampion rajonal në prodhimin e energjisë së rinovueshme deri në vitin 2030.

Shqipëria ishte zhytur në mbeturinat dhe ndotjen e tetë viteve më parë, por tani është “shumë më ndryshe”, nënvizonte kryeministri gjatë një fjalimi që shënonte fundin e fushatës elektorale të 25 prillit.

“Sidoqoftë, që ne të bëhemi kampionë rajonalë të pakrahasueshëm deri në fund të kësaj dekade, lufta për mbrojtjen e mjedisit duhet të intensifikohet, pasi landfillet primitive dhe ndotja shqetësuese e ujit dhe ajrit janë vetëm pjesa më e dukshme e problemeve mjedisore”, shtoi më tej Rama.

Programi i investimeve, i nisur gjatë mandatit të dytë, është “një shkak për entuziazëm” për të parë që vendi të bëhet “kampioni rajonal i prodhimit të rinovueshëm deri në vitin 2030”, sipas fjalëve të tij.

Qeveria i hapi rrugën Voltalia-s të ndërtojë termocentrale diellore në Karavasta dhe Spitalle, “më të mëdhatë në rajon”.

Vendi do të bëhet një eksportues neto i energjisë deri në fund të dekadës, ravijëzoi kryeministri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore