Përballje

Dramë në xhiron e fundit/ Ferizaj mbetet në zonën e barazhit, Trepça’89 bie nga Superliga


Ka përfunduar xhiroja e fundit e këtij edicioni në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll.

Vëmendja kryesore në këtë xhiro ishte në vendin e katërt (kualifikime në Ligën e Konferencës) dhe pozita e tetë apo zona e barazhit.

Ferizaj arriti ta sigurojë zonën e barazhit, ndërsa Trepça’89 tashmë ka rënë nga Superliga, kurse Dukagjini zuri vendin e katërt dhe do të luajë në Ligën e Konferencës.

Trepça’89 shënoi fitore dramatike ndaj Prishtinës me rezultat 2:1, fitore kjo që dukej se do ta mbante në pozitën e tetë, apo të barazhit.

Mitrovicasit ishin duke humbur deri në minutën e 85-të me golin e shënuar nga Leotrim Kryeziu në minutën e 36-të.

Mirëpo, drama ndodhi në minutat e fundit të ndeshjes. Rrahim Nimani i barazoi shifrat në minutën 85-të, derisa në minutat shtesë shënoi edhe Egzon Fazliu për këtë fitore që dukej të ishte e artë.

Megjithatë, Ferizaj arriti të shënonte fitore dramatike krejt në fund ndaj Dukagjinit dhe kështu ia mohoi pozitën e tetë mitrovicasve.

Pra, Ferizaj mbetet në pozitën e barazhit dhe do të kërkojë të mbetet edhe në edicionin e radhës në elitë dhe për ta bërë këtë duhet ta mposhtë Lirinë e Prizrenit.

Ferizaj ishin duke fituar deri në minutën e 82-të me golin e Shabanit, por Otto John doli në skenë tetë minuta para përfundimit të ndeshjes për ta shënuar golin e barazimit.

Ndërkohë, në minutën e 16-të shtesë, Astrit Fazliu e shënoi golin për fitoren e artë të skuadrës ferizajasve.

Ndërsa, pavarësisht humbjes, Dukagjini ka përfunduar në pozitën e katërt, që do të thotë se për herë të parë do të luajnë në kualifikimet e Ligës së Konferencës.

Në ndeshjet tjera, kampioni në fuqi, Ballkani, luajti pa gola ndaj Gjilanit.

Drita shënoi fitore me rezultat 1:3 në udhëtim te Drenica dhe Malisheva e mposhti Llapin me shifrat 3:2.

Pra, skuadrat që tashmë e kanë të sigurt daljen në Evropë, janë Ballkani, Drita e Gjilani, derisa kampioni do të luajë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ndërsa të tjerat në Ligën e Konferencës.

Mbetet të shihet se a do të jetë Prishtina skuadra tjetër, apo ai vend do të merret nga Dukagjini.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore