Lajme

Draghi premton stimuj të shtuar ekonomikë dhe përshpejtim të vaksinimit


Kryeministri italian Mario Draghi, për të kompensuar dëmet e shkaktuara nga mbyllja e tejzgjatur e pandemisë, ka premtuar të krijojë stimuj të rinj ekonomikë dhe të rrisë vaksinimet.

Në konferencën e tij të parë për shtyp që nga marrja e detyrës më 13 shkurt, ai zbuloi një paketë të re stimujsh prej 32 miliardë eurosh.

Draghi e cilësoi paketën si “një hap i parë” drejt lehtësimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga pandemia.

Për ish-kreun e Bankës Qendrore Evropiane, masat e stimujve shkojnë paralelisht me përshpejtimin e ritmeve të vaksinimit. Të dyja së bashku do të jenë kyçe për rigjallërimin e ekonomisë, e cila u tkurr me 9% vitin e shkuar.

Qeveria italiane, e drejtuar më parë nga Conte dhe tani nga Draghi, ka alokuar më shumë se 130 miliardë euro për të luftuar rënien ekonomike të shkaktuar nga Covid-19. Ndihma do të pasohet edhe nga 205 miliardë euro të tjera të siguruara prej fondeve të Bashkimit Evropian.

“Kjo është një masë e paplotë, por është maksimumi që mund të bënim në këtë moment”, komentoi Draghi paketën, që do të injektojë rreth 11 miliardë euro në ekonomi.

Paketa ekonomike alokon fonde edhe për përshpejtimin e vaksinimit në Itali. “Fushata e vaksinimit është baza për rifillimin e ekonomisë”, tha ai.

Kryeministri konfirmoi qëllimin e tij për të trefishuar vaksinimin ditor, në rreth 500.000 në mes të prillit, për ta tejkaluar atë ritëm në periudhën maj-qershor. Ekspertët vlerësojnë se, me dinamikën e tanishme, Italisë do t’i duhen 17 muaj për të vaksinuar 75% të popullsisë.

Deri tani, Italia ka marrë në dorëzim 7,3 milionë doza vaksinash, me rreth 3,8% të popullsisë të imunizuar.

Paketa e stimujve ekonomikë vjen në një moment kur Italia lufton me një nivel të lartë borxhi publik, që me gjasë do të thellohet në muajt në vijim. Qasja e Draghi-t është zgjerimi më tej i deficitin buxhetor, në mënyrë që të çlirohen më shumë shpenzime.

“Tani nuk është koha të mbajmë fokusin te niveli i borxhit”, vijoi ai. “Ky nuk është viti për të kërkuar para, po për të dhënë para”.

Dilema e borxhit publik, është një temë e nxehtë, që shqetëson shumicën e ministrave të financave në botë.

Përpara pandemisë, kabineti i ish-kryeministrit Conte ka kaluar debate të zgjatura në kohë me Komisionin Evropian (KE) pikërisht lidhur me nivelin e deficitit buxhetor dhe borxhit. KE-ja u imponon vendeve anëtare të ruajnë nivelin prej 3% të deficitit buxhetor vjetor dhe të përpilojë politika, të cilat e ulin borxhin publik drejt masës 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Borxhi publik i Italisë tani përllogaritet në rreth 155%.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore