Lajme

Draghi, kryeministri i ri italian


Më 3 shkurt presidenti Italian, Sergio Mattarella ngarkoi ish-shefin e Bankës Qendrore Evropiane (BCE), Mario Draghi, të krijojë qeverinë. Draghi pranoi me rezerva detyrën e re.

“Kam besim se pas konfrontimit me partitë politike do të kemi unitet dhe përgjegjshmëri”, tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës bëri me dije se Draghi do të formojë shumicën parlamentare.  Kryeministri i ri bëri thirrje për unitet duke thënë se italianët po përballen me një moment të vështirë.

“Duhet të mundim pandeminë, të vazhdojmë fushatën e vaksinimit dhe të rifillojmë sfidat që na presin. Kemi në dispozicion burimet e jashtëzakonshme të Bashkimit Evropian (BE). Kemi mundësinë të punojmë me kujdes për brezat e ardhshëm dhe kohezionin shoqëror. Me shumë respekt, para së gjithash do t’i drejtohem Parlamentit, shprehjes së vullnetit popullor. Jam i bindur që do të kemi unitet dhe përgjegjësi”, shtoi Draghi.

Sjellim në vëmendje se Mattarella kishte deklaruar se kërkonte një qeveri “të profilit të lartë”.

Spekulimet u rritën në momentin kur u tha se ish-shefi i BCE-s, Mario Draghi, mund të ishte kryeministri i ri.

Shtypi italian kishte ditë që spekulonte në lidhje me emërimin e mundshëm të Draghi-t, si  kryeministër teknik.

Kjo deklaratë e Mattarella-s vjen pas dështimit të partnerëve të koalicionit qeverisës për të formuar një shumicë, pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Conte.

Mattarella kishte thënë se kishte dy zgjedhje: ose do të kërkonte zgjedhje të parakohshme ose të emëronte një qeveri teknike për të menaxhuar pandeminë e coronavirus-it dhe sfidat ekonomike dhe sociale të Italisë.

Fillimisht Kreu i Shtetit nuk tha se kë do të zgjidhte për të drejtuar qeverinë. Mario Draghi, njihet me nofkën  “Super Mario” për rolin e tij në shpëtimin e euros.

Kryetari i dhomës së ulët, Roberto Fico, një politikan nga Lëvizja Pesë Yje (M5S) ishte ngarkuar të shqyrtonte mundësinë e rivendosjes së koalicionit me Conte-n.

Kriza filloi kur partia Italia Viva, e kryesuar nga ish-kryeministri Renzi, njoftoi dorëheqjen e dy ministrave të kabinetit dhe një ministri të ri. Mosmarrëveshjet filluan në lidhje me menaxhimin e e 200 miliardë eurove më shumë që do të merreshin nga fondi evropian i rimëkëmbjes (Recovery Fund).

Conte fitoi votëbesimin në të dy dhomat e parlamentit në  muajin janar, por nuk arriti të siguronte një shumicë.

Kriza politike në Itali ndodhi në  momentin që vendi po përballej me valën e dytë të pandemisë. Italia ndërkohë po lufton me recesionin më të keq që nga lufta e dytë botërore.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore