Lajme

DPS e Gjukanoviçit mbështet Abazoviqin për një Qeveri të pakicës


DPS, Milo Gjukanoviç

Kryesia e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), e presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka njoftuar se do të mbështesë çdo nismë që do të çojë në largimin e Qeverisë aktuale.

Ky subjekt politik ka mirëpritur gatishmërinë e një pjese të shumicës parlamentare për të propozuar zgjidhje me përfaqësues të disa partive të pakicave.

Kjo sipas DPS-së “do të çonte në zhbllokimin e institucioneve dhe përshpejtimin e procesit të bisedimeve me Bashkimin Evropian.

DPS

Nisma për të formuar një qeveri të pakicës, si një model për tejkalimin e krizës politike në Mal të Zi ka ardhur nga Lëvizja Qytetare Ura, që është në pushtet, dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS.

Këto dy subjekte, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 kishin garuar në kuadër të listës “E zeza mbi të bardhë”, ku më ato zgjedhje, DPS-ja humbi pushtetin, të cilin e kishte mbajtur për tre dekada.

Më 17 janar gjatë prezantimit të propozimit për qeveri të pakicës, Lëvizja Qytetare Ura dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS thanë se në një qeveri të tillë nuk do të kishte vend për partinë më të madhe opozitare, Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe partinë më të fortë të koalicionit aktual, Frontit Demokratik (DF), parti pro-serbe.

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe lideri i Lëvizjes Ura, Dritan Abazoviq ka thënë se ky model është një zgjidhje e mundshme, por të cilën nuk do t’ia imponojnë askujt.

Dritan Abazoviq

“Është koha që të zhbllokohet rruga për në Bashkimin Evropian. Nëse kjo situatë nuk mund të zgjidhet, zgjedhjet mbeten zgjidhje e qartë”, kishte deklaruar Abazoviq.

Për të iniciuar shkarkimin e Qeverisë aktuale në Kuvend kërkohen 27 vota, ndërsa për largimin e saj duhet një shumicë prej 41 deputetësh.

Me mbështetjen e DPS-së, e cila ka 30 deputetë në Parlamentin malazez, Lëvizja Ura siguron numrin e mjaftueshëm të votave për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiç.

Ky i fundit ka kundërshtuar iniciativën e Abazoviqit për një qeverie të pakicës, duke e cilësuar si “mashtrim” këtë nismë.

Qeveria e udhëhequr nga Krivokapiçi, e ka një shumicë të thjeshtë prej një vote më shumë në Kuvendin malazez, mirëpo në fund të vitit të kaluar ka humbur mbështetjen e shumicës qeverisëse, kryesisht të partisë pro-serbe, Frontit Demokratik.

Megjithatë, Fronti Demokratik nuk ka nisur asnjëherë një nismë formale për të shkarkuar Qeverinë, e cila nuk ka pasur mbështetjen e kësaj partie që nga mesi i vitit të kaluar.

Ndër të tjera, DF-ja nuk është pajtuar me miratimin e Rezolutës për Srebrenicën në Kuvendin e Malit të Zi, si dhe me shkarkimin e ministrit Vlladimir Lleposaviç për shkak të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore