Lajme

Dosja e mbrojtjes së Thaçit: Prokuroria anashkalon dekadat e persekutimit të shqiptarëve të Kosovës nga shteti serb


Gjykata Speciale ka bërë publike dosjen e mbrojtës së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, i akuzuar për krime lufte.

Në këtë dosje theksohet se Zyra së Prokurorit të Specializuar ka gdhendur akuza për krime të tjera të shkëputura dhe i ka vënë ato në qendër të një komploti të supozuar kriminal që përfshin tërë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që konsiston në një sulm të gjerë ose sistematik të drejtuar kundër një popullsie civile, e cila nuk është gjetur kurrë të ekzistojë, dhe në fakt është refuzuar në mënyrë eksplicite, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Më i frikshëm është vendimi i ZPS-së për ta paraqitur rastin e saj në një zbrazëti kontekstuale; një histori ngjarjesh me historinë e fshirë. Rasti i ZPS-së anashkalon dekadat e persekutimit të shqiptarëve të Kosovës që kulmoi me një plan shumë të koordinuar nga shteti serb për të larguar popullsinë etnike shqiptare nga Kosova”, thuhet në dosje.

Po ashtu aty potencohet se rezistenca e armatosur civile ndaj fushatës brutale serbe të spastrimit etnik.

“ZPS nuk e paraqet si betejë për mbijetesë, por si plan kriminal të UÇK-së për të marrë dhe mbajtur pushtetin. 863,000 shqiptarë të Kosovës u larguan për të shpëtuar jetën e tyre në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi, ndërsa ishin në shënjestër të forcave serbe që synonin largimin e tyre”.

Ata thonë se kjo është paraqitur nga ZPS si “lëvizje” e ushtarëve të UÇK-së dhe e një numri të madh të civilëve shqiptarë në zonat ku UÇK-ja tashmë kishte krijuar objekte dhe personel.

“Përpjekja e ZPS-së për të kufizuar trupin gjykues në një paraqitje selektive dhe të shtrembëruar të ngjarjeve nuk është vetëm ofenduese për komunitetin që i ka jetuar ato, por nuk do të gjejë mbështetje as në të dhënat e provave tashmë ekzistuese, as në procesverbalin e rikrijuar nga ZPS në gjyq”, ka thënë tutje mbrojtja.

Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore