Sport

Donjeta Sadiku me video emocionuese: Është e padrejtë që Kosova të trajtohet ndryshe nga të gjithë antarët e tjerë për arsye politike


Boksierja kosovare, Donjeta Sadiku, ka regaur me anë të një videoje pas mohimit nga shteti i Indisë që të garojë në Kampionatin Botëror me simbolet shtetërore.

Nëpërmjet një mesazhi emocionues, Sadiku tha se është e padrejtë që Kosova të trajtohet ndryshe për arsye politike.

Ajo mandej tha se shpreson që Qeveria e Indisë ta rishqyrtojë vendimin dhe t’i lejohet asaj të garojë në Kampionatin Botëror sikurse çdo garues tjetër.

Ndryshe Ministria e Jashtme e Indisë dha të hënën dritën e gjelbër për marrjen e vizës për ekipin e Kosovës, kurse disa orë më vonë Federatës së Boksit të Kosovës iu kushtëzua pjesëmarrja.

Organizatori i Kampionatit bëri me dije se pjesëmarrja e boksieres Sadiku mund të bëhet vetëm me dy kushte.

Kushti i parë ishte që flamuri i Kosovës dhe himni shtetëror nuk do të përdoren në ndonjërën nga ceremonitë gjatë kampionatit botëror.

Dhe, kushti tjetër ishte se pjesëmarrësit e Kosovës nuk do të lejohen të mbajnë flamurin e tyre, qoftë edhe në veshjet e tyre në formë të printuar.

Duke pasur parasysh kushtet “diskriminuese” të vendosura nga organizatorët e turneut, Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Ministria për Kulturën dhe Sportin vendosën të mos paraqiten në Botëror.

Kjo është hera e tretë që Sadikut i mohohet pjesëmarrja në Kampionatet Botërore në Indi dhe njëherazi mundësia për të fituar një tjetër medalje botërore.

Fjalimi i Donjeta Sadikut:

Unë jam Donjeta Sadiku, Pavarësisht së në vitin e kaluar kam fituar medalje botërore dhe evropiane, sot përsëri po më mohohet e drejta të përfaqësoj shtetin tim me simbole shtetërore në kampionatin evropian botëror të boksit që po zhvillohet në Indi”.

Ky vendin bie ndesh me të gjitha rregullat dhe ka shkaktuar zhgënjim të madh në mua dhe mbështetësit e mi”.

Federata e Boksit të Kosovës është antare në Federatën Botërore të Boksit që nga nëntori i vitit 2014.

Është e padrejtë që Kosova të trajtohet ndryshe nga të gjithë antarët e tjerë për arsye politike.

Unë besoj në fuqinë e sportit për t’i bashkuar njerëzit dhe për të promovuar paqe dhe mirëkuptim mes kombeve.

“Me këtë video po i bëj thirrje Qeverisë së Indisë që ta rishqyrtojë vendimin e saj dhe të më lejohet garimi me Republikën e Kosovës dhe me të gjitha të drejtat që më takojnë”.

Ju inkurajoj të gjithëve që të më bashkoheni në këtë përpjekje dhe të flasim së bashku kundër kësaj padrejtësie.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore