Donika Gërvalla e punëson familjarin e vet si këshilltar politik, i cili me profesion është muzikant
Foto nga Albanian Post, Donika Gervalla dhe Donat Krasniqi
Altina Marmullaku
15.01.2024 16:00Donat Krasniqi është vëllai i Egzona Gervallës.
Egzona Gërvalla është gruaja e Ergon Gervallës.
Ergon Gërvalla është vëllai i Donika Gërvallës.
Donika Gërvalla është zëvendës-kryeministre e Kosovës dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe e ka punësuar Donat Krasniqin si këshilltar të Jashtëm.
Donati, miku i vëllait të ministres, apo vëllai i gruas së vëllait, është punësuar në kabinetin e ministres si këshilltar politik i jashtëm.
Ai kurrë nuk shkon në punë. Donati me profesion është muzikant dhe s’ka lidhje as me politika as me të jashtme.
Siç i kanë treguar Albanian Post-it burime nga brenda MPJ-së, Donati nuk ishte punësuar që të jap këshilla politike, meqë as nuk merret me politik, por për arsye krejt tjera.
Si muzikant, Donati kishte nevojë të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jeton edhe vëllai i tij. Me statusin e punonjësit të MPJ-së dhe pjesë e kabinetit të ministres, ai mund të pajiset me vizë amerikane lehtësisht me rekomandimin e ministrisë.
Kjo ishte edhe arsyeja përse Donati fillimisht u punësua.
Albanian Post ka pyetur MPJ-në për këtë shkelje, por është refuzuar të kthehet një përgjigje prapa.
Megjithatë, nga një e-mail që ka siguruar AP, ku janë të renditur i gjithë kabineti i Gërvallaës, aty figuron edhe Donat Krasniqi si këshilltar politik i jashtëm në mesin e 25 vetave në total sa ka Gërvalla në kabinet.
Nga ta, gjithsejtë 11 janë këshilltarë të ministres.
Por historia me këtë familjar të Gërvallës nuk përfundon këtu.
Kohë më parë, Gërvalla, me rekomandimin e gruas së vëllait (Egzonës), kishte marrë në punë në ministri edhe të fejuarën e Donatit.
B.G., e fejuara e muzikantit, ishte punësuar nga Gërvalla si asistente ekzekutive.
Situata bëhet qesharake kur B.G-ja, e ardhur në ministri përmes lidhjeve familjare, ishte pushuar nga puna.
Më vonë u kuptua që arsye e largimit ishte fakti që Donat Krasniqi ishte ndarë nga B.G dhe meqë nuk kishin më lidhje familjare, Gërvalla s’pa arsye ta mbajë më gjatë.
AP-së nuk i është përgjigjur as “këshilltari” Krasniqi, në tentimin e mediumit për të komunikuar me të rreth “punës” në ministri.
Punësimi i tij si këshilltar nga Gërvalla është rast tipik i nepotizmit, ka thënë për Albanian Post, Drejtori ekzekutiv nga organizata jo qeveritare për demokrati, anti-korrupsion dhe dinjitet “Çohu!”, Arton Demhasaj.
Ai shton se përveç “nepotizëm”, rasti rendohet edhe më shumë kur dihet se si ishte vetë Lëvizja Vetëvendosje që nga opozita merrej vazhdimisht me raste të tilla.
Fenomeni i nepotizimit/familjarizimit nuk sanksionet me ligje, por politikisht përbën një nga shkeljet me të rënda, sepse minohet parakushti esencial i punësimit meritokratik.
“Nuk ka meritokraci në momentin që je familjar i një ministri/ministrja”, thotë Demhasaj.
Kjo nuk është hera e parë që Donika Gërvalla shfrytëzon ministrinë për kryerjen e nevojave të familjarëve të saj.
Me 8 korrik të vitit 2022 mediumi online Demokracia pati publikuar një dokument që tregonte se si Gërvalla i kishte mundësuar vajzës së vet Nora Schwarz të siguroi certifikatë nga ministria.
Asaj i duhej për arsye të shkollimit të saj në Gjermani dhe Gërvalla ia kishte mundësuar.
Certifikata sugjeronte se Nora Schwarz ka përfunduar një partiakë në ministri, gjë që doli të mos jetë e vërtetë.
Praktika nuk u krye kurrë, por certifikata u morë.
Gërvalla s’e kishte mohuar dokumentin e publikuar e as lajmin, përveç se kishte akuzuar mediat që po merren me të.
Lufta kundër nepotizmit në Kosovë
Shoqëria civile vazhdimisht e ka kritikuar edhe partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, për punësime mbi baza partiake apo familjare.
Sipas tyre, “premtimet e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, mbi luftën kundër nepotizmit, janë harruar në momentin kur zyrtarë të kësaj partie janë ulur në karriget e institucioneve shtetërore”.
Fenomeni i nepotizmit me vite të tëra është kritikuar nga shoqëria civile dhe diplomatë ndërkombëtarë se ka ngufatur institucionet dhe ndërmarrjet publike me militantë partiakë dhe të afërm e familjarë, pa kritere punësimi.
Cilado parti politike që ka marrë pushtetin, ka punësuar qytetarë në bazë të lidhjeve familjare në institucione dhe pozita udhëheqëse në ndërmarrjet shoqërore, pa meritë dhe kualifikim arsimor.
Edhe në hulumtimin e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP), të publikuar në nëntor të vitit 2021, thuhej se të anketuarit besojnë se lidhjet partiake janë kritere më të dobishme për sigurimin e një vendi pune.
Sipas këtyre të dhënave, 73 për qind e të anketuarve mendojnë se punësimi në sektorin publik nuk bëhet në baza meritore, kurse rreth 26 për qind besojnë se arsimi mundëson punësimin në sektorin publik.