Gatimi

Domatja, simbol i gastronomisë italiane


Pica, spageti, rizoto, lazanja dhe shumë receta të tjera kanë në bazë të tyre një përbërës, që tashmë është padyshim simbol i kuzhinës italiane, domaten. “Domatet janë në ADN-në tonë”, thotë një pronar restoranti në Sardenja. “Ne jemi rritur me domate në recetat tona. Ata janë bërë simboli i gastronomisë sonë.”

Nëse sot mendojmë se ky produkt është i lidhur ngushtë me ushqimin italian, nuk ka qenë gjithmonë kështu. Në fakt, vetëm gjatë shekullit të 19-të, domatet mbizotëruan tryezat e italianëve, para kësaj kohe, mendohej gjerësisht se ato ishin helmuese.

Studiuesja e historisë së ushqimit, Eva Del Soldato, thotë për Cnn Travel, se mënyra e të ngrënit dhe gastronomia e çdo vendi, është e ndikuar nga një sërë faktorësh historikë, socialë e politikë, dhe kështu ka qenë edhe për këtë produkt. Sjellë në Evropë nga spanjollët, kur kolonizuan Amerikën, – me emrin e saj origjinal, “tomatl” – nga mesi i viteve 1500, mendohet se ka bërë rrugën e saj edhe drejt Italisë. Megjithatë, askush nuk e di sesi. Disa mendojnë se hebrenjtë, të dëbuar nga Spanja më 1492, mund ta kenë sjellë atë me vete.

Për shumë kohë, domatja nuk gjendej në tryeza dhe paragjykohej si produkt pa vlera dhe me një cilësi të keqe.

Megjithatë, me kalimin e kohës, domatja nisi të vlerësohej nga mjekët, të cilët kuptuan që ajo ishte e dobishme për shumë inflamacione të lëkurës. Mandej, ky produkt u masivizua kur nisi të përdorej nga shtresat e varfra të shoqërisë, të cilët nuk kishin tjetër gjë për t’u ushqyer, por edhe sepse domaten jo vetëm mund ta hanin të gjallë, por edhe mund ta ruanin.

E famshme nisi të bëhej në shekullin e 19-të, kur njerëzit filluan të bashkonin makaronat, fasulet, mishrat dhe recetat me salcat e domates. Mandej, dominoi të gjithë Italinë dhe tashmë në këtë vend gjendet një numër i pafund varietetesh të ndryshme, nga domatet që përdoren për sallata, gatim e salca.

Sigurisht, edhe kombet e tjera përdorin domate, madje është një element kryesor i dietave mesdhetare, por “fiksimi” i Italisë për këtë produkt është i veçantë. “Një Itali pa domate? Pse?! Do të ishte sikur Italia të humbte një të tretën e shpirtit të saj”, kështu u shpreh një kuzhinier italian.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore