Film

Dokumentari i protestave të 2019-s në Hong Kong do të shfaqet në Kanë


Festivali i Filmit në Kanë do të shfaqë një dokumentar të ri, që tregon protestat pro-demokracisë në Hong Kong 2019 dhe hedh dritë në historitë e protestuesve.

“Revolucioni i Kohëve tona”, nga regjisori vendas i Hong Kongut, Kiwi Chow, ndjek historinë e disa protestuesve dhe dokumenton përplasjet me policinë, në atë që regjisori më parë i përshkroi Reuters si përpjekjen e tij për të ndihmuar lëvizjen të vazhdonte.

Kina prezantoi një ligj gjithëpërfshirës të sigurisë kombëtare një vit më parë, për të goditur atë që ajo e konsideron përmbysjen, secesionizmin, terrorizmin dhe bashkëpunimin me forcat e huaja, dhe kinematë, universitetet dhe galeritë e artit kanë anuluar shfaqjet ose ekspozitat e veprave që kanë lidhje me protestën.

Qeveria e Hong Kongut kohët e fundit miratoi udhëzime të reja që lejojnë autoritetet të censurojnë filmat mbi bazën e ruajtjes së sigurisë kombëtare.

“Të jesh në gjendje të kesh një premierë në festivalin e Kanës është një shans i mirë për t’i bërë të ditur botës se ka akoma njerëz që vazhdojnë të qëndrojnë në Hong Kong”, i tha Chow Reuters.

“Shpresoj që ata të kuptojnë se çfarë ndodhi në 2019-n dhe të sjellin disa frymëzime në botë”.

Chow tha se ai punoi lirshëm në dokumentar, pa u përpjekur të mendonte për ndonjë reagim të mundshëm.

“Unë përpiqem më të mirën time për të injoruar nëse dokumentari do të kalojë vijën e kuqe”, tha ai.

Organizatorët e Kanë-s thanë se ata qenë të interesuar që kur kishin parë klipet e hershme.

“Ne jemi krenarë që kemi paraqitur këtë film, përmes të cilit kinemaja mund të ndriçojë një moment të rëndësishëm në lajmet botërore”, tha drejtori i festivalit të Kanës, Thierry Fremaux, në një deklaratë.

Chow ka bërë filma artistikë, duke përfshirë filmin distopian “Ten Years: Self Immolator” në 2015-n dhe dramën romantike “Beyond The Dream”, e cila u shfaq në kinematë Hong Kong, vitin e kaluar.

Ai i tha Reuters në qershor se ishte frymëzuar për ta kthyer aparatin e tij drejt protestave kur ai u bë dhe aktivist në 2019-n, ku pa punëtorë të qytetit si pastruesit, të ndërmerrnin veprime rezistence.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore