Film

Doktor Zhivago dhe Lara


Pjesë nga filmi “Doctor Zhivago” i realizuar në vitin 1965 nga regjisori, David Lean. Në foto paraqitet aktori egjiptian me famë botërore, Omar Sharif, në rolin kryesor të Yuri Zhivago.

Juri Zhivago është një njeri i ndarë në dysh, por edhe në mëdyshje. Në dashurinë mes dy grave, por edhe në çarjen në dysh të dy epokave në historinë ruse: skizmën  e Luftës së Parë Botërore të Rusisë Cariste, dhe skizofreninë e Revolucionit Bolshevik.

Edhe vetë emri ‘Zhivago’ është emër djali me origjinë ruse që do të thotë ‘Jetë’, kurse Zhivago si personazh përfaqëson jetën ruse në tërësi.

Zhivago, një idealist, parimor, poet, doktor, me ndjeshmëri të thellë mistiku, është antipodi i tmerreve njerëzore të Luftës së Parë Botërore, Revolucionit të Tetorit, Luftës Civile, dhe Terrorit të Kuq. Lajtmotiv në jetën shpirtërore të tij është tensioni shpirtëror mes pastërtisë së brendshme filozofike dhe katastrofës së jashtme barbare.

Ai është i martuar me Tonja Gromekon, me të cilën ka edhe fëmijë, por edhe ka një lidhje jashtëmartesore me Lara Antipovën, gruan e Pasha Antipovës.

Lara për Zhivagon do të jetë si Laura për Petrarkën.

“Unë dhe ti jemi si Adami dhe Eva, njerëzit e parë në botë, të cilët në fillim të botës, nuk kishin me çka të mbulonin trupin – dhe tani në fund, ne jemi po aq të zhveshur e të pastrehë. Dhe unë e ti jemi kujtesa e fundit e madhështisë së pafundme që ka qenë krijuar në botë, në mijëra vjet që kanë kaluar mes nesh, dhe është në kujtimin e të gjitha atyre mrekullive të zhdukura tashmë që ne po jetojmë, po duhemi, po qajmë, dhe po përqafohemi”, i thotë Lara atij, që shprehë dëshpërimin e saj, por edhe frymëzimin që ka nga Juri.

Shtrirja e dyfishtë e pasojave të revolucionit, si në aspektin personal edhe atë publik, siç thotë edhe Lara “unë e ti jemi kujtesa e fundit e madhështisë së pafundme që ka qenë” dhe “e të gjitha atyre mrekullive të zhdukura tashmë”, e tregojnë pikërisht luftën, revolucionin, rrënimin e shoqërisë, e të jetës, deri kur e gjitha përmbyset në një revolucion, që nuk është aspak evolucion, por devolucion.

“Të gjitha zakonet e traditat, mënyrat e jetesës, gjithçka që mund ta quajmë shtëpi dhe rend e rregull në jetët tona, është rrënuar dhe, tani, kjo katrahurë e riorganizim i shoqërisë. E gjithë jeta njerëzore është shkatërruar e rrënuar. Krejt çka ka mbetur është shpirti i zhveshur njerëzor, i cili asnjë pikë nuk ka ndryshuar, i ftohtë e duke u dridhur nga të ftohtët, duke kërkuar fqinjin e parë që sheh, po aq të vetmuar e të ftohtë si veten”, Lara i thotë Zhivagos.

Rusia është bërë “hapësirë e zbrazët, e pakuptim”, thënë në fjalët e Jurit, dhe së bashku me Laran janë dëshmitar të një tranzicioni drejt errësirës. Por nëse, rrënimi e përmbysja e mënyrave tradicionale të jetës është një gjë faktike, atëherë kjo e sugjeron edhe rrënimin e jetëve të tyre martesore, tërheqjen nga morali konvencional bashkëshortor, dhe aferën e tyre jashtëmartesore.

Nëse Revolucione kishte shkatërruar institucionet të shenjta, si në pushtetin shpirtëror edhe atë tokësor, sa vlente martesa më si institucion? Sa vlente martesa kur çiltërsia njerëzore është humbur? Vetë Lara thotë se në kohë të tilla, ç’duhet gruaja?

Në kohë si ato, dashuria mbetet nën rrënoja, njëjtë sikur gjithçka tjetër, përveç “shpirtit të zhveshur njerëzor”, dhe Juri dhe Lara janë “…te ftohtë e duke u dridhur nga të ftohtët, duke kërkuar fqinjin e parë që shohin, po aq të vetmuar e të ftohtë si vetët e tyre”.

Dashuria mes Jurit dhe Laras është e vetmja gjë njerëzore që u ka mbetur në një botë të çnjerëzuar e çnjerëzore, i vetmi iluzion në një botë të çiluzionuar, veshja e vetme e “shpirtrave të zhveshur”, fqinjët e vetëm në pafqinjësinë e botës së re.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore