Lajme

Dodik: Republika Srpska vazhdon bashkëpunimin me Rusinë pavarësisht presionit


Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, tha se vazhdon të bashkëpunojë me Rusinë, pavarësisht nga qëndrimet e vendeve perëndimore për këtë çështje.

“Republika Srpska vazhdon të bashkëpunojë me Rusinë dhe ka të drejtë të ndjekë politikën e saj autentike, pavarësisht presionit, dhe ne nuk jemi nga ata që e ndërpremë bashkëpunimin, sepse disa të tjerë po bëjnë luftë kundër saj”, u shpreh Dodik, raporon N1.

Ai shtoi se Republika Srpska hodhi poshtë “politikën e nënshtrimit të kërkuar nga Perëndimi, në drejtim të sanksioneve dhe ndërprerjes së bashkëpunimit me Rusinë”.

Dodik po ashtu ka njoftuar ditë më parë se do të takohet më 23 maj në Moskë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

“Do të mundohemi të flasim për projekte zhvillimore, do të kërkojmë disa modalitete”, kishte njoftuar Dodik.

Ai ka theksuar se i vjen keq për luftën në Ukrainë, derisa ka shtuar se “Perëndimi po përpiqet ta zgjasë atë konflikt”.

Më 23 mars, Republika Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – ka miratuar vendimin për ndërprerjen e bashkëpunimit me diplomatët amerikanë dhe ata britanikë, kinse për shkak të “aktiviteteve kundër Marrëveshjes së Dejtonit (1995)”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore