Lajme

Dodik: Pse Kosovës t’i jepet statusi i një shteti e Republikës Srpska jo


Kryetari i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Milorad Dodik

Kryetari i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës dhe anëtari serb i këtij organi, Milorad Dodik, ka thënë në një intervistë për agjencinë e lajmeve ANA-MPA se Republika Serbe është një shtet i pavarur dhe do t’i përmbushte të gjitha kriteret e Bashkimit Evropian për t’u bërë anëtar i saj.

Dodik e ka përmendur Kosovën duke thënë se “si e imagjinonte dikush që të ashtuquajturës Kosovë i ishte dhënë statusi i një shteti, duke marrë tokë nga Serbia dhe se Republika Serbe, pronari të territorit të saj, duhet të mbetet në Bosnje e Hercegovinë”.

“Politika e standardeve të dyfishta në një zonë kaq të vogël, kam frikë se nuk mund të jetë e qëndrueshme”, theksoi Dodik.

Ai  tha se “non-paper”-it e publikuar muajin e kaluar për ndryshimin e kufijve në Ballkan nuk e di kush i ka shkruar, por e di që për këtë po flitet në kryeqytet e mëdha të Evropës.

Në “non paper-in” që u publikua muajin e kaluar nga Albanian Post për zgjidhjen përfundimtare të problemeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në njërën nga katër pikat për zgjidhjen e problemeve në Ballkan thuhet se është “Bashkimi i një pjese të madhe të Republikës Serbe të Bosnjës me territorin e Serbisë”, përbën pikën e dytë në dokument.

“Çështja kombëtare e Serbisë mund të zgjidhet në një masë të madhe duke ia bashkuar një pjesë të madhe të Republika Srpskas Serbisë. Në këtë rast, Serbia është e gatshme të pajtohet me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”, thuhet në letrën që dyshohet se u shkrua nga kryeministri slloven Janez Jansa, por që ky i fundit e ka mohuar një gjë të tillë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore