Lajme

Dodik mbështet idenë e Vulinit për “botën serbe”


Anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik

Anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, tha se e mbështet plotësisht idenë Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vulin, për krijimin e së ashtuquajturës “botë serbe”, e cila, sipas tij, “nuk do të drejtohej kundër askujt”, por qëllim të vetëm do të kishte “bashkëpunimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar dhe kulturor serb”.

Dodik tha se e përkrah, sepse është “patriotike dhe nuk ka kurrfarë pretendimesh territoriale”.

”Kjo ide ka për qëllim bashkëpunimin dhe ruajtjen e identitetit, gjuhës dhe kulturës serbe. Këtë gjë e kanë bërë shumë popuj para nesh dhe askush nuk ka bërë probleme. Por, kur serbët dalin me këtë ide, menjëherë bëhet zhurmë dhe ngrihen tensionet”, tha Dodik, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Dy ditë më parë, Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandër Vulin, kishte deklaruar se, “kur gjermanët u bashkuan dhe përfundoi rishikimi i rezultateve të Luftës së Dytë Botërore, askush nuk u shqetësua. Ndërsa tani, të gjithë shqetësohen pse serbët duan të jetojnë në një shtet”.

Në vijim, ai tha se “beson në krijimin e botës serbe”. Kjo, sipas tij, zgjidh çështjen kombëtare të serbëve, që ndalon përhapjen e “Shqipërisë së Madhe”.

Gjithashtu, pohoi ai për të përditshmen “Vecernje Novosti”, “garanton serbët se gjenocidi ndaj tyre nuk do të ndodhë më kurrë dhe, mbi të gjitha, siguron paqen afatgjatë në Ballkan”.

Ministri kishte folur edhe për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të cilin tha se “ndonëse jemi vëllezër të luftës, nuk është e pazakontë që ne mendojmë ndryshe”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore