Lajme

Dodik: Do ta emërojmë një të dërguar të posaçëm nga Republika Serbe që të shkojë në SHBA dhe ta luftojë krimin atje


Milorad Dodik - Anëtar i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës

Anëtari i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, duke folur për njoftimet e paralajmëruara për sanksione amerikane ndaj tij dhe politikanëve të tjerë serbë, ka thënë se aq i bën për këto sanksione dhe për më tepër as nuk e kishte ndërmend të aplikonte për një vizë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për më tepër, Dodik në mënyrë sarkastike ka thënë se tashmë është radha e të ashtuquajturës “Republika Serbe” që të përzgjedh të dërguarin e saj special për të shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britani të Madhe “me qëllim të luftimit të krimit dhe korrupsionit”.

 

Milorad Dodik – Anëtar i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës

“Nuk kam ndërmend të aplikoj për vizë në Shtetet e Bashkuara, edhe nëse nesër më hiqen sanksionet”, ka thënë Dodik.

“Dhe është koha që të përpiqemi të caktojmë të dërguarit tanë specialë për luftën kundër korrupsionit që të shkojnë dhe të luftojnë korrupsionin në Amerikë apo në Britaninë e Madhe”, shtoi ai.

Mes deklaratash të tjera, Dodik, ka përmendur dhe ministren e Punëve të Jashtmë të BeH, Bisera Turkoviç, për të cilën u shpreh se “ajo mezi pret të ketë sanksione ndaj njerëzve në vendin e saj”, ndërsa nuk ka hezituar ta quajë edhe “zëdhënëse” të amerikanëve.

“Sanksionet janë të mundshme, por është më shumë një pafuqi sesa një demonstrim pushteti. Bisera Turkoviç është zëdhënësja e tyre”, tha Dodik.

“Përsa i përket Amerikës, ata tashmë janë arrogantë. Është një punë e kotë për ta. Dhe Bisera Turkoviç mezi po e pret. Ky është vetëm një tregues i situatës në BeH. Imagjinoni një ministre serioze që pret me padurim sanksione ndaj njerëzve në vendin e tij”, shtoi ai.

Në anën tjetër, më herët gjatë të mërkurës së 5 janarit, ministrja e Punëve të Jashtme të BeH-së, Bisera Turkoviç, ka paralajmëruar shpalljen e sanksioneve amerikane ndaj personave të caktuar në Bosnje dhe Hercegovinë.

Bisera Turkoviç – Ministre e Punëve të Jashtme të BeH.

“Priten sanksione të reja dhe është koha që ata (amerikanët) që qëndrojnë pas sanksioneve dhe të sqarojnë të gjitha detajet duke listuar subjektet ndaj të cilëve do të zbatohen sanksionet”, tha Turkoviç.

Ajo vlerëson se në këtë drejtim ka një qëndrim të harmonizuar mes SHBA-së dhe BE-së, duke thënë se “ky nuk është fundi, por fillimi i vendosjes së sanksioneve”.

Për muaj të tërë, flitet për sanksione amerikane dhe evropiane kundër udhëheqësve politikë në BiH, të cilët dyshohet se po kontribuojnë në destabilizimin e situatës në vend dhe që dyshohet se janë përfshirë në procese korrupsioni.

Sipas mediave në BeH, sanksionet pritet të ndërmerren ndaj individëve dhe kompanive pranë tyre që u ofrojnë mbështetje financiare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore