Lajme

Dodik, Ambasadës Amerikane: “Ju nuk mund të përcaktoni se cilat janë interesat e RS”


Millorad Dodik

Millorad Dodik – presidenti ultranacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë, i është kundërpërgjigjur ambasadës amerikane në BeH, e cila e kritikoi atë për vizitën në Federatën Ruse, si dhe për takimin me presidentin rus, Vladimir Putin.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Dodik tha se “nuk e di çfarë lidhje ka ambasada amerikane me interesat e RS-së”.

Ambasada amerikane për vizitën e Dodik-ut në Rusi, ndër të tjera deklaroi se “ajo nuk i shëbren interesave të qytetarëve të BeH-së”.

Por, kjo deklaratë e shqetësoi presidentin autoritar të RS-së, i cili deklaroi se “amerikanët nuk kanë të drejtë të përcaktojnë se cilat janë interesat e Republikës Srpska”.

“Ambasada amerikane nuk është ajo që mundet dhe as nuk do të përcaktojë se cili është interesi i Republikës Srpska. Lufta e tyre kundër Rusisë nuk është dhe nuk do të jetë lufta e Republikës Srpska. Rruga që ata duan që Republika Srpska të ndjekë është përcaktuar nga votuesit, të cilët kanë mbështetur SNSD-në dhe nuk e di se çfarë lidhje ka ambasada amerikane me të”, shkroi Dodik në Twitter.

Millorad Dodik, është takuar të martën me presidentin rus, Vladimir Putin, të cilit i ka thënë ndër të tjera se “Republika Srpska e kupton se Rusia u detyrua të kryejë një operacion ushtarak” dhe në këtë mënyrë mbështeti drejtpërdrejt agresionin rus kundër Ukrainës.

Millorad Dodik dhe Vladimir Putin

“Ne mendojmë se Federata Ruse, e cila me këmbëngulje luftoi për kuadrin e saj të sigurisë dhe u përpoq t’i jepte ato garanci më parë, thjesht u detyrua në lidhje me këtë operacion ushtarak”, potencoi Dodik pas takimit me Putin-in.

Pas agresionit rus në Ukrainë, vendet Perëndimore i vendosen sanksione Rusisë, ndërsa Bosnje e Hercegovina së bashku me Serbinë; janë nga vendet e pakta të Evropës që nuk i janë bashkuar këtyre sanksioneve. Për ta penguar që BeH t’i vendos sanksione Rusisë, ndihmoi presidenti i RS-së, Dodik, duke mos lejuar që të merret një vendim i tillë.

Për këtë veprim ai u mburr para presidentit rus, por gjithashtu tek Putin-i ai u ankua se si reaksion i këtij vendimi – po përballet me presion nga ndërkombëtarët.

“Ne nuk lejuam marrjen e një vendimi formal për sanksione kundër Federatës Ruse dhe për këtë shkak u ekspozuam ndaj formave të ndryshme të presionit nga partnerët tanë perëndimorë në formën e sanksioneve dhe pezullimit të disa projekteve dhe programeve. Por ne vendosëm të mos bëhemi thjesht pjesë e histerisë që po krijohet, por të japim një shans për ta zgjidhur çështjen në nivel të Federatës Ruse dhe Ukrainës”, shtoi ai.

“Po na bëhet presion për t’iu vendosur sanksione”, Dodik vajton tek Putin

Ndërsa, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje e Hercegovinë, ka kritikuar vizitën e presidentit ultra nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në BeH, Millorad Dodik – në Federatën Ruse, ku është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin.

“Në kohën kur Rusia po zhvillon luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës, asnjë qeveri, në asnjë nivel, nuk duhet të zgjerojë bashkëpunimin me Rusinë”, ka thënë ambasada amerikane në BeH, transmeton media boshnjake “Oslobodenja”.

Në reagimin e tyre thuhet se vendimi i Dodik-ut për t’u takuar me Putin-in është “shkurtëpamës” dhe se nuk i shërben interesave të qytetarëve të Republikës Srpska.

“Vendimi i Presidentit Dodik për t’u takuar me Putin-in – ndërkohë që Rusia po injoron ligjet bazë të rendit ndërkombëtar, si dhe vendimi i tij për të nderuar Putin-in në fillim të këtij viti, është shkurtëpamës dhe nuk i shërben interesave të qytetarëve të Republikës Srpska”.

“Rruga e duhur për Bosnje-Hercegovinën është Brukseli, jo Moska”, thotë Ambasada Amerikane pas vizitës së Dodik-ut në Rusi

Kujtojmë se më gjashtë janar të vitit 2022, Ministria e Financave e Shteteve të Bashkuara të Amerikës njoftoi se ka vendosur sanksionone ndaj sundimtarit ultranacionalist të Republika Srpska, Millorad Dodik. Po ashtu, sanksione kundër tij kishte vendosur edhe Britania e Madhe në prill të vitit 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore