Lajme

Do të përdor forcën si ‘zgjidhjen e fundit’ për të parandaluar Iranin, thotë Biden


Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden tha se do të përdorte forcën si mjetin e fundit për të parandaluar Iranin nga marrja e një arme bërthamore ndërsa ai filloi një udhëtim në Lindjen e Mesme.

Duke folur në një intervistë për televizionin izraelit “Channel 12”, e cila u regjistrua para se të largohej nga Uashingtoni të martën, Biden tha se do ta mbante Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) në listën e Organizatave të Huaja Terroriste të SHBA-ve.

I pyetur nëse deklaratat e tij në të kaluarën se ai do të pengonte Teheranin të merrte një armë bërthamore nënkuptonin se ai do të përdorte forcë kundër Iranit, Biden u përgjigj, “nëse kjo ishte zgjidhja e fundit, po”.

Irani mohon se kërkon armë bërthamore, duke thënë se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime paqësore.

Teherani arriti një marrëveshje me gjashtë fuqitë e mëdha në vitin 2015, sipas së cilës kufizoi programin e tij bërthamor për ta bërë më të vështirë marrjen e një arme në këmbim të lehtësimit nga sanksionet ekonomike.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, refuzoi marrëveshjen në vitin 2018 dhe rivendosi sanksione të ashpra ndaj Iranit, duke bërë që Teherani të fillojë të shkelë kufijtë bërthamorë të marrëveshjes rreth një vit më vonë.

Përpjekjet për të ringjallur marrëveshjen deri më tani kanë dështuar. Në zyrtar i lartë amerikan i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se shanset për ringjalljen e saj ishin më të ulëta pas bisedimeve indirekte midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në Doha dy javë më parë.

Negociatorët dukeshin pranë një marrëveshjeje të re në mars, por bisedimet u ndërprenë kryesisht për shkak të refuzimit të SHBA-së të kërkesës së Teheranit që Uashingtoni të hiqte IRGC-në nga lista e terrorizmit, duke argumentuar se kjo ishte jashtë fushëveprimit të ringjalljes së paktit.

I pyetur nëse ishte i përkushtuar për të mbajtur IRGC-në në listën e FTO-së edhe nëse kjo e shkatërroi marrëveshjen, Biden u përgjigj, “po”.

IRGC, një fraksion i fuqishëm politik në Iran, kontrollon një perandori biznesi si dhe forcat elitare të armatosura dhe të inteligjencës që Uashingtoni i akuzon për një fushatë terroriste globale.

Marrë nga reuters, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore