Shqipëria

Do të ketë kallëzime në SPAK për kryebashkiakë të PS-së, thotë Rama


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar se do të ketë kallëzime në SPAK për kryetarë bashkie të PS-së.

“Shumë shpejt do të ketë kallëzime edhe për figura të Partisë Socialiste nga njësia Antikorrupsion dhe do ta shikoni. Do të ketë kallëzimë në SPAK për kryetarë bashkie të PS-së që kanë turpëruar PS-në dhe që duhet t’i kishte kapur më përpara drejtësia”, theksoi fillimisht kryeministri.

Rama sqaroi se Njësia Antikorrupsion bën kallëzime në kuadër të veprimtarisë së saj.

“Nuk mund të bëjmë ne kallëzime për politikanët kundërshtarë, i kemi bërë në të kaluarën, por unë kam qenë gjithmonë kundër tyre. Nuk është fare kjo puna jonë”, deklaroi më tej Rama.

Sipas tij, SPAK nuk duhet të gjuajë “dinamit për cironka”.

Kryeministri shtoi se ka shumë rëndësi që Prokuroria e Posaçme të mos bëjë KLSH-në, apo inspektimin financiar të Ministrisë së Financave, sepse janë institucione të ndara.

“SPAK duhet të merret me të korruptuarit dhe jo me procedura. Këto nuk janë procedura, nuk kanë nevojë për shumë mund për t’i identifikuar si subjekte të SPAK-ut”, nënvizoi kryesocialisti.

Referuar kësaj, Rama mendon se edhe prokurorët, që janë në detyrë dhe nuk kanë vepruar dhe kanë lënë të parashkruhen vepra të kësaj natyre, duhen pyetur për këtë gjë.

“Të kërkosh më shumë nga gjithë ky sistem që e kemi krijuar është detyrim, jo ndërhyrje”, ravijëzoi sërish kryeministri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore