Kosova

“Do të diskutojë për zhvillimet në Kosovë”, thotë Hoti për vizitën e tij në SHBA


Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka deklaruar se do të diskutojë për çështjet dhe zhvillimet në Kosovë.

“Krahas këtyre aktiviteteve, do të takohem me zyrtarë amerikanë për të diskutuar çështjet dhe zhvillimet aktuale që lidhen me Kosovën”, ka shkruar ai.

Ndërsa, ka theksuar se do të marrë pjesë në dy aktivitete.

“Forumi i Sigurisë” është aktivitet i rregullt që organizohet nga dy anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan. Tema e këtij viti është “Ndikimi negativ kinez dhe rus në Ballkan. Forumi është mundësi e mirë për prezantim të Kosovës si vend që kontribuon në sigurinë rajonale dhe renditet krahë aleatëve euro-atlantik në përballje me sfidat e sigurisë në Ballkan”.

“Lutjet e Mëngjesit” në Kongresin Amerikan janë tradicionale, ku marrin pjesë zyrtarë nga shumë vende të botës, me qëllim ndërtimin dhe fuqizimin e miqësive mes përfaqësuesve të qytetarëve nga vende të ndryshme për të mirën e përbashkët”, ka thënë ai.

Më 20 korrik, Hoti kishte kritikuar pushtetin – Lëvizjen Vetëvendosje për raportin e tyre me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Hoti, kishte thënë se Kosova nuk është kritikuar asnjëherë në Komitetin për Politikë të Jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku raportoi i dërguari speciale i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore