Lajme

Do ta presim Evropën në Mariupolin e rindërtuar – Zelensky uron fitoren e Eurovisionit nga Kalush Orchestra


“Kurajo jonë ka habitur botën, muzika jonë e ka pushtuar Evropën”.

Kështu ka zgjedhur ta “festojë” fitoren e grupit ukrainas Kalush Orchestra me këngën “Stefania” në Eurovision Song Contest 2022, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Nëpërmjet një shkrimi shumë të shkurtër në median Telegram, ai jo vetëm ka uruar fituesit, por edhe ka dhënë shpresë për mbajtjen e festivalit të vitit tjetër dhe jo në Kiev, por në Mariupol!

“Do të bëjmë më të mirën tonë që një ditë të mirëpresim pjesëmarrësit dhe të ftuarit e Eurovisionit në Mariupolin ukrainas. Të lirë, të paqtë dhe të rindërtuar”.

Kjo është shpresa e presidentit Zelensky, në një kohë aspak të lehtë për vendin e tij.

Duke dhënë këtë indicie mbi dëshirën për ta zhvilluar festivalin më të madh muzikor kontinental në Ukrainë, ai tregon edhe një qasje pozitiviste, pasi Mariupoli mendohet se është qyteti më i dëmtuar nga agresioni rus dhe bilanci i jetëve të humbura atje, është ende i paqartë.

Çfarë ndodhi në Eurovision 2022?

Një natë absolutisht magjike e muzikës dhe kulturës evropiane është përmbyllur me kurorëzimin e Ukrainës si fituese e Eurovision Song Contest 2022, i cili u mbajt në Torino.

Kënga më e votuar prej jurive profesionale, ishte ajo e Britanisë së Madhe me 283 pikë.

Por me një votim thuajse plebishitar nga publiku, Ukraina arriti ta mposhtë britanikun Sam Ryder me thuajse 200 pikë diferencë në fund të mbrëmjes.

Emocionet e para, kishin të bënin me fjalët ndoshta më të dëgjuara në botë në dy muajt e fundit: Slava Ukraini!

Me këngën e tyre “Stefania”, Kalush Orchestra rroku zemrat e gjithë publikut, duke u kthyer jo vetëm në një prej këngëve më të dëgjuara nga Eurovisioni i këtij viti, por gjithashtu edhe në një himn të vërtetë për luftën në Ukrainë.

Një ogur i mirë erdhi edhe nga një videomesazh i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, përpara fillimit të spektaklit.

“Jam i bindur se djemtë tanë do të na nderojnë dhe do të sjellin në shtëpi trofeun për këngën më të mirë”, tha Zelensky për të motivuar artistët.

Në vendin e tretë, u radhit ndërkaq këngëtarja sensuale spanjolle Chanel, me këngën e saj “SloMo”. Suedia u radhit e katërta, ndërsa pesëshen, e plotëson Serbia.

Me një larmishmëri të vërtetë muzikore, që prej ritmeve folk të Evropës lindore miksuar me muzikën rap, tek tingujt elektronikë e dance, rock and roll-i, ekzotizmi latin apo baladat e pamungueshme, u mbyll edhe një edicion tepër i suksesshëm i festivalit më të madh kontinental.

Në një çast shumë të vështirë përçarjeje në të gjithë Evropën, arti dhe kultura treguan edhe një herë, se kanë fuqinë e përbashkimit.

Fryma e këtij Eurovision-i ka qenë ndër më mbresëlënëset ndër vite, ku përtej performancave dhe dashamirësisë që artistët kanë treguar me njëri-tjetrin, nuk kanë munguar as bashkëpunimet e ndryshme gjatë kohës jashtë konkurimit, me video që kanë gëluar në mediat sociale dhe kanë bërë gjithë evropianët e më gjerë të këndojnë, kërcejnë e dashurojnë së bashku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore