Pajisje

Do ta lejoni një avokat robot t’ju mbrojë?


Mund të jetë një robot avokat i ardhshëm?

Këtë pyetje ngre agjencia e lajmeve, “BBC”, kur merr në shqyrtim sistemet e sofistikuara të inteligjencës artificiale në ndihmë të komunitetit ligjor.

Paçka se kjo duket e pakuptimtë, këto programe kompjuterike që mund të përditësohen vetë, po përdoren gjithnjë e më shumë nga avokatët.

Joshua Browder e përshkruan aplikacionin e tij DoNotPay si “avokati i parë robot në botë”.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se ky robot ndihmon përdoruesit të hartojnë letra ligjore. Atij i thuhet se cili është problemi, siç është ankimi kundër një gjobe parkimi dhe ai do të sugjerojë atë që mendon se është rruga më e mirë ligjore për t’u ndjekur.

“Njerëzit mund të shkruajnë një argument duke përdorur fjalët dhe software-i përmes një modeli të mësimit makinerik përputhet me të në një mënyrë të saktë ligjërisht”, ka treguar ai.

24-vjeçari dhe kompania e tij janë të bazuara në Silicon Valley në Kaliforni, por origjina e firmës lidhet me Londrën e vitit 2015, kur Browder ishte vetëm 18 vjeç.

“Si një adoleshent i vonë në Hendon, në veri të Londrës, unë isha një shofer i tmerrshëm. Mora shumë gjoba të shtrenjta parkimi, të cilat, pasi isha ende në shkollë të mesme, nuk mund t’i përballoja”, ka treguar ai.

Por përmes shumë kërkimeve për lirinë e informacionit, Browder ka treguar se gjeti mënyrat më të mira për të kontestuar gjobat.

Në vend që të kopjonte të njëjtin dokument çdo herë, ai ka thënë se dukej “puna perfekte për software”. Kështu, krijoi versionin e parë të DoNotPay brenda pak javësh në vitin 2015, “me të vërtetë vetëm për t’i bërë përshtypje familjes sime”.

Prej asaj kohe, aplikacioni është përhapur në Mbretërinë e Bashkuar e SHBA dhe mund të ndihmojë përdoruesin të shkruajë letra që kanë të bëjnë me një sërë çështjesh si kërkesat e sigurimit, aplikimi për viza turistike, letra ankesash drejtuar një biznesi ose autoriteti lokal ose anulimi i anëtarësimit në palestër.

Megjithatë, Browder ka pranuar se dy përdorimet e fundit janë rritur më së shumti gjatë pandemisë.

Sipas DoNotPay, aplikacioni posedon 150 mijë abonentë që paguajnë. Dhe teksa ka kritikët e saj, me disa që kanë thënë se këshillat e saj ligjore nuk janë mjaft të sakta, vitin e kaluar ajo fitoi një çmim nga Shoqata e Avokatëve Amerikan për rritjen e aksesit ligjor.

“BBC” tregon se Browder pretendon një sukses të përgjithshëm prej 80 për qind, deri në 65 për qind për gjobat e parkimit, sepse “disa njerëz janë fajtorë”.

Edhe pse mund të mendohet se avokatët njerëzorë do të kishin frikë se inteligjenca artificiale do të shkelte terrenin e tyre, disa janë të kënaqur, pasi software-i mund të përdoret për të ecur shpejt me punën dhe për të renditur sasi të mëdha të dokumenteve të rastit.

Një prej tyre është edhe Sally Hobson, një avokate në firmën juridike, The 36 Group, me qendër në Londër, e cila punon për çështje penale. Kohët e fundit, firma përdori inteligjencën artificiale në një gjyq kompleks vrasjesh. Kjo pasi rasti përfshinte nevojën për të analizuar shpejt më shumë se 10 mijë dokumente.

Software-i e bëri detyrën katër javë më shpejt sesa do ta kryenin njerëzit.

Eleanor Weaver, shefe ekzekutive e Luminance, e cila ka krijuar software-in që përdor Hobson, ka thënë se avokatët që përdorin inteligjencën artificiale për ndihmesë “po kthehen në normë”.

“BBC” ka zbuluar se më shumë se 300 firma të tjera ligjore në 55 vende gjithashtu e përdorin atë, duke punuar në 80 gjuhë.

“Historikisht keni pasur shumë teknologji të kontrollit të dokumenteve që nuk ishin më të mira se kërkimet e fjalëve kyçe”, ka treguar Weaver. Në të kundërt, ajo ka thënë se programi i sofistikuar i sotëm mund të lidhë fjalë dhe fraza.

Por inteligjenca artificiale nuk po ndihmon vetëm avokatët të zgjidhin provat dokumentare. Tani mund t’i ndihmojë ata të përgatisin dhe strukturojnë rastin e tyre dhe të kërkojnë ndonjë precedent ligjor përkatës.

Laurence Lieberman, i cili drejton programin digjitalizues të mosmarrëveshjeve të firmës juridike të Londrës, Taylor Wessing, përdor software të tillë, që është zhvilluar nga një firmë izraelite e quajtur Litigate.

“Ju ngarkoni përmbledhjen tuaj të çështjes dhe kërkesat tuaja dhe do të përcaktohet se cilët janë lojtarët kryesorë”, ka treguar ai. “Dhe pastaj inteligjenca artificiale do t’i lidhë ato së bashku dhe do të mbledhë një kronologji të ngjarjeve kryesore dhe shpjegimin e asaj që ndodh në secilën datë”.

Ndërkohë, Bruce Braude, shefi i teknologjisë në Deloitte Legal, krahu ligjor i gjigantit të kontabilitetit Deloitte, ka treguar se sistemi i tij software-ik TAX-I mund të analizojë të dhënat historike të gjykatave për raste të ngjashme apelimi tatimor.

Madje, firma pretendon se mund të parashikojë saktë se si apelimet do të përcaktohen në 70 për qind të kohës. “Ai siguron një mënyrë më të matshme se cilat janë gjasat për sukses dhe se cilat mund t’i përdorni për të përcaktuar nëse duhet të vazhdoni”, ka shtuar Braude.

Megjithëse inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në shkrimin e letrave ligjore, ose të ndihmojë avokatët njerëzorë, a do të vijë koha e avokatëve robotë apo edhe gjyqtarëve robotëve?

“Unë mendoj se në të vërtetë, ne nuk jemi askund për të qenë afër kësaj”, ka thënë Weaver.

Kurse për të tjerët, si profesori Richard Susskind, i cili kryeson grupin këshillues të Lordit të Drejtësisë së Anglisë në inteligjencën artificiale, nuk është aq e sigurt.

Susskind ka rrëfyer se ishte tmerruar në vitet 1980 nga ideja e një gjyqtari kompjuterik, por ja që ai nuk është tani.

Ai ka theksuar se edhe para pandemisë, “Brazili kishte një ngarkesë gjyqësore prej më shumë se 100 milionë çështjesh gjyqësore dhe se nuk ka asnjë shans që gjyqtarët dhe avokatët njerëzorë të heqin një ngarkesë lëndësh të asaj madhësie”.

Pra, nëse një sistem mund të parashikojë me shumë saktësi, me 95 për qind probabilitet, rezultatin e vendimeve gjyqësore, profesori ka thënë se ndoshta mund të fillojmë të mendojmë për trajtimin e këtyre parashikimeve si përcaktime detyruese, veçanërisht në vendet që kanë prapambetje jashtëzakonisht të mëdha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore