“Do largohen rreth 500 mijë veta” – Liberalizim i vizave, “ëndrra e rrezikshme” që mund të zbraz Kosovën

Foto: Albanian Post.

Altina Marmullaku
21.04.2023 13:56
Loading Icons...

Lufta kishte prodhuar largimin më të madh të shqiptarëve nga Kosova. Atëherë më shumë se opsion ishte detyrim.

Paslufta ktheu njerëzit, por jo edhe dëshirën për të qëndruar. Problemet e shumta i panë kosovarët duke provuar alternativa nga më të ndryshmet për të lënë vendin.

Papunësia, pagat e ulëta, shkollimi i dobët, çmimet e larta, mosvlerësimi i duhur këto ishin vetëm disa nga arsyetimet kur qytetarët pyeteshin përse po largohen.

Të njëjtat arsyetime vazhdojnë edhe sot.

Përveç lumturisë, pas 12 vjetësh që ndodhi liberalizimi i vizave, ky moment historik padyshim se do të sjellë edhe një frymë të re me ndryshime në Kosovë.

“Liberalizimi i vizave, grusht i madh”

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, në një bisedë për Albanian Post thotë se liberalizimi i vizave për Kosovën është “një grusht i madh”.

“Pasi që vendet e punës në Perëndim do ta marrin fuqinë punëtore edhe me një shpejtësi më të madhe sesa që ka ndodhur deri tani. Realisht, këtu do të jetë një mungesë shumë e madhe e fuqisë punëtore në sektorin privat, pra do të jetë një ‘bumerang’ shumë i madh”, tha Azemi për AP.

Kjo është e pritshme tha Azemi dhe për këtë kishin folur tash e sa kohë edhe me pronarë kompanish.

“Ua kemi tërhequr vërejtjen për shumë vjet që të kujdesshëm”, thotë ai.

Siç e ka bërë analizën ai, “ikja në fillimin e vitit 2024 nuk do të jetë e vrullshëm, pasi që fuqia punëtore vetëm do të dal të hulumtojë që të shikojë tregun e punës”, por më pas, thotë ai, kur të kuptojnë mundësitë, në shtete si Gjermania që ka kaq shumë nevojë për punëtorë, atë “do të largohen”.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

“Tash edhe nëse ofrohet ndonjë mundësi, qytetarët e kanë humbur vullnetin prandaj edhe do të zgjedhin që të largohen dhe të sistemohen në vende të punës në diasporë”.

“Liberalizimi i vizave me anë pozitive dhe negative”

Edhe sociologu, Jeton Brajshori, e pranon se sado që është lajm i gëzuar fakti se mundësohet udhëtimi pa viza, “ka edhe anët që do të dëmtojnë Kosovën”.

Nga këndvështrimi i tij, do të ketë shumë të rijnë që do të largohen nga Kosova për arsyeje nga më të ndryshmet.

“Për vendin negative është se e gjitha fuqia e re punëtore do të bartet tek vendet tjera dhe kjo do të ndikoi shumë në aspektin ekonomik dhe social. Secili njeri e ka të drejtën natyrore që të kërkojë kushte për një jetesë më të mirë”.

“Duke parë se në çfarë kushte kanë punuar punëtoret në sektorin privat, ku shumica nga ta nuk kanë as kontrata pune, gati çdo javë kemi raste me fatalitet të punëtoreve në sektorin e ndërtimit dhe nuk i kompenson askush, atëherë duhet të përgatitemi se do të mbetemi pa punëtorë dhe se bizneset do të shikojnë të marrin punëtorë nga vendet tjera”, thotë Brajshori për AP.

Ai parashikon se nga Kosova do të largohen diku rreth “500 mijë qytetarë”.

‘Mos ik’ – thirrja artistike që të mos braktiset Kosova nga Eroll Murati

“Të gjithë do të jenë fuqi punëtore të zhgënjyer me kushtet e punës dhe jetesës në Kosovë. Shteti urgjent duhet të marr masa për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve në të kundërtën do të mbesim vetëm me punëtorë të huaj”.

Edhe ai deklaron se fillimisht do të dilet për të hulumtuar tregun e punës dhe 90 ditët që i mundëson udhëtimi pa vizë, janë të mjaftueshme.

“Me siguri se liberalizimi i vizave do ta aktivizoj faktorin tërheqës, ku shumë persona do të synojnë që te bëjnë një jetë më të mirë në ndonjë vend tjetër edhe pse mundësia për të qëndruar është 90 ditë, po kaq do të mjafton që gjatë kohës sa je atje ta kontraktosh një punë edhe të kthehesh të jetosh atje me vizë pune”.

Teksa, thotë se edhe studentët do të kenë mundësi që shkollimin e tyre ta përzgjedhin në një vend ku mund të shkëmbejnë përvoja të ndryshme me njerëz nga vendet e tjera.

“Eh ky është aspekt pozitiv, shumë studentë do të kenë qasje më të lehtë në konferenca ndërkombëtare, shkëmbime të përvojave të ndryshme, të mësuarit e kulturave të ndryshme, krijimi i kontakteve të reja dhe largimi nga psikoza e izolimit”.

Por, marrë në përgjithësi, për arsye të ndryshme, sociologu beson se “pritet që vitin e parë të migrojnë rreth 500 mijë qytetarë!”.

Parlamenti Evropian miratoi të martën e 18 prillit vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kjo do të thotë se procedurat vendimmarrëse për këtë çështje tani do të përmbyllen. Gjithashtu, miratimi u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

Një ditë më vonë, më 19 prill, u nënshkrua akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian dhe hyrja në fuqi e tij.

Ceremonia e nënshkrimit të vizave në Parlamentin Evropian.

Përjashtimi nga kërkesa për vizë do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) dhe në çdo rast jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.

Premtimet e shpeshta të politikanëve kosovarë se liberalizimi i vizave do të ndodhte “shumë shpejt”, gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe protestat masive në Prishtinë ishin vetëm disa nga zhvillimet kryesore që karakterizuan procesin.

Të fundit

Aktuale