Sport

Djokovic i ofron ndihmë tenistit ukrainas i cili ndodhet në luftë


Tenisti numër dy në botë, Novak Djokovic ka premtuar mbështetje financiare për tenistin ukrainas Sergiy Stakhovsky, i cili i është bashkuar luftës për të mbrojtur vendin e tij nga pushtimi rus.

Stakhovsky i lindur në Kiev, i cili aktualisht jeton në Hungari, u kthye në atdheun e tij kur Rusia pushtoi vendin e tij në muajin e kaluar, i cili ishte regjistruar në ushtrinë rezervë të Ukrainës.

36 vjeçari zbuloi në mediat sociale, duke postuar një bisedë në ‘Whatsap’, se tenisti nga Serbia, Novak Djokovic, i kishte ofruar atij ndihmë financiare.

Djokovic ka shkruar: “Stako, si je burrë, je në luftë. Jam duke menduar për ty, duke shpresuar që gjithçka të qetësohet së shpejti”.

“Ju lutem më njoftoni se cila do të ishte adresa më e mirë për të dërguar ndihmë, ndihmë financiare, çdo ndihmë tjetër gjithashtu”, shkruan tenisti serb.

Ndërsa Stakhovsky u përgjigj: “Nole jam mirë, faleminderit shumë, gjendem në Kievin e heshtur”.

Stakhovsky zbuloi dhimbjen dhe vështirësinë e lënies së familjes së tij për t’u regjistruar dhe për të ndihmuar në mbrojtjen e Ukrainës .

“Unë thjesht pata këtë ndjenjë të fortë se duhet ta bëj. Unë nuk u thashë vërtet lamtumirë fëmijëve. Thjesht i putha dhe u thashë se do të kthehem menjëherë. Ata shikonin filma vizatimorë dhe lexonin libra, pa i kushtuar vëmendje”, ka thënë ai.

“Nëse do të qëndroja, do të isha ndier fajtor që lashë babanë dhe vëllain në Ukrainë. Kalimi i kufirit ishte një zgjedhje e vështirë”, shtoi ai.

“Por duke vozitur nëpër Ukrainë, duke vozitur nëpër vend, duke parë të gjithë njerëzit që vijnë në grupe, duke bërë njësitë e tyre të rezistencës me armë gjuetie, duke barrikaduar rrugët, është vërtet një ndjenjë frymëzuese”.

“Ndjej se nuk jam i përgatitur sa duhet, kjo është e sigurt. Por mendoj se askush nuk është mjaftueshëm i përgatitur”, ka thënë tenisti nga Ukraina.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore