Sport

Djokoviç është mbreti i Australian Open


Mjaftojnë tre sete, më pak se tre orë dhe një ndeshje e luajtur me mendje më shumë se sa me fizik, që Novak Djokoviç, rikthimin e tij në Australian Open pas një viti të vështirë pandemik, ta kurorëzojë me trofeun e 10-ë në fushën e kontinentit të largët.

Dueli krejtësisht ballkanik i serbit me grekun Stefanos Tsitsipas ishte një shëmbëlltyrë e tenisit të luajtur me mendje, duke shfrytëzuar pikat e dobëta të kundërshtarit dhe duke kursyer përgjatë kursit të tre seteve çdo pikë të mundshme energjie.

I pari, i përmbyllur 6 lojë kundër 3 dhe dy të tjerët, të fituar me “tie-break”.

Tashmë, ai arrin barazinë e plotë me rivalin e përjetshëm, Rafael Nadal, me 22 “Slams” në gjithë karrierën, ku veç një tjetër i mjafton për të qenë tenisti më i kurorëzuar në histori.

Nuk ka qenë e lehtë për tenistin serb të arrijë deri në këtë çast.

Vitin e shkuar, një sagë e vërtetë mes ndalimesh, izolimesh dhe përfundimisht depërtimi, u zhvillua në kurriz të tij në Australi, për shkak të mosvaksinimit.

Doza kundër COVID-19 ishte e detyrueshme në ishullin kontinent vitin e kaluar dhe një leje e posaçme e marrë nga Djokoviç, nuk mjaftoi për t’i hapur rrugën atij në konkurrim, duke e lënë terrenin e shtruar për Rafael Nadal, që të fitonte “ausien” e dytë.

Mirëpo, me rikthimin, ai tregoi se pse është ndër më të mirët e historisë në nivelet më të larta të tenisit, duke humbur vetëm një lojë në gjithë raundet e luajtura.

Kjo, përkundër një dëmtimi, me të cilin ai u përball gjatë javës së parë të turneut, por të cilin e rikuperoi mjaftueshëm shpejt sa për t’i garantuar titullin.

35-ja është 25-a e re në tenis, duket se i përshtatet më së miri edhe figurës së Djokoviç, i cili duke kombinuar teknikën dhe taktikën me një përgatitje të jashtëzakonshme fizike, arrin të tregojë se gjenerata e tij ende është dominuese, pavarësisht tërheqjes së Roger Federer nga sporti.

I hyrë në turne si numri katër në botë, ai do të rikthehet në majën e listës, si numri një i tenisit, dhe e gjithë kjo pa luajtur në turnetë madhorë të viteve të fundit.

Me thuajse gjysmën e “Slams”-eve të tija, të fituara në Australi dhe me askënd tjetër sikur ai, Djokoviç e konfirmon veten kështu si mbreti i Australian Open.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore