Lajme

Djemtë e Kadyrov-it mbërrijnë në Mariupol, për video jo për betejë


Fama e Kadirovitëve për ushtarë “TikTok-u” në fushëbetejë duket se ka kaluar edhe te tre djemtë e kreut të Çeçenisë.

Djemtë e Ramzan Kadyrov janë shfaqur në një video nga Mariupol-i duke raportuar 68 kilometra nga linja e luftimeve, raporton Nexta.

Më 3 tetor kreu i Çeçenisë njoftoi se tre djemtë e tij të mitur po përgatiteshin të dërgoheshin në Ukrainë, ku do të qëndronin në seksionet më të vështira të linjës luftarake.

Kjo deklaratë shkaktoi hutim te përdoruesit e rrjeteve sociale.

Disa prej tyre i trajtuan fjalët e Kadyrov-it si një element vetëpromovimi; të tjerë shprehnin mendimin se ishte herët që fëmijët të shkonin në zonën e luftës.

Vetë kreu i Çeçenisë ka njoftuar në kanalin e tij “Telegram” se djemtë e tij të mitur, Akhmat, Eli dhe Adami, kishin vizituar Mariupol-in.

Ramzan Kadyrov do të dërgojë tre djemtë e tij adoleshentë në vijën e parë të frontit të luftës

Sipas Ramzan Kadyrov, vajza e tij, Aishat Kadyrova, gjithashtu mbërriti në Donbass.

Kadyrov ka qeverisur republikën jugore ruse që nga viti 2007, kur ai u emërua president i rajonit nga Vladimir Putin-i.

Ka qenë një periudhë e stabilitetit relativ në Çeçeni, e cila luftoi pa sukses për pavarësi për një dekadë.

Por Kadyrov është kritikuar se ka qeverisur me grusht të hekurt dhe ka lejuar që shkeljet e të drejtave të njeriut të lulëzojnë.

Ai është mbështetës i ashpër i Vladimir Putin-it dhe forcat çeçene kanë luftuar në Ukrainë që nga fillimi i luftës.

Megjithatë, pas pengesave të fundit ushtarake në rajonet e Kharkiv-it dhe Donetsk-ut, ai ka kritikuar udhëheqjen ushtarake të Rusisë.

Gjithashtu ka drejtuar thirrje që Rusia të marrë masa më drastike kundër Ukrainës, duke përfshirë përdorimin e një arme bërthamore taktike.

Sakaq, Kremlini u përgjigj se vendime të tilla nuk duhet të merren emocionalisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore