Lajme

“Djalin tim e deportuan në Rusi pas një bombardimi, i thanë se kisha vdekur”


Urdhër-arresti ndërkombëtar i lëshuar nga Gjykata Penale në Hagë kundër Vladimir Putinit nuk ka asnjë efekt për Olenën.

“Nuk më intereson Putini, mendoj për fëmijët e mi”, thotë ajo për italianen “Corriere Della Sera”.

Asaj nuk i intereson, por ajo që ndodhi me Andriin e saj është arsyeja pse Gjykata Ndërkombëtare e akuzon Putinin për “krime lufte” për dëbimin e fëmijëve dhe adoleshentëve ukrainas në territorin rus.

Po kush është Olena.

Olena është një infermiere, nënë e shtatë fëmijëve.

“Para se të strehohesha në Zvicër, punova në një spital në Izium, në Kharkiv”.

Më 30 prill, nëna e saj dhe djali i saj adoleshent iu bashkuan në punë për të rimbushur telefonin e tyre celular, sepse, siç ndodhte shpesh, në shtëpi nuk kishte energji elektrike.

“Vetëm në ato minuta rusët na bombarduan. Nëna ime vdiq, djali u plagos rëndë”.

Spitali ishte goditur nga një bombë thërrmuese, Andri duhej të operohej.

Diagnoza ishte fatale: dëmtim i shtyllës kurrizore dhe lëndime të shumta të organeve të brendshme.

“Unë munda ta shihja në një shtrat, më thanë se do ta çonin në sallën e operacionit dhe se më pas mund të qëndroja me të”.

Por kjo nuk ndodhi.

Pas bombardimeve, rusët kanë hyrë dhe kanë marrë disa persona, mes tyre edhe Andriin.

“Për një muaj e gjysmë nuk dija asgjë për të, as nëse ishte gjallë apo vdekur. I shkrova kujtdo për informacion, e dija se çfarë mund të ndodhte me fëmijët dhe adoleshentët tanë. Nuk na thanë asgjë nga Rusia”.

Andrii kishte përfunduar në një spital të Moskës ku iu nënshtrua një operacioni në shpinë.

Mjekët i thanë se nëna e tij kishte vdekur dhe për këtë arsye ai ishte vendosur në një program birësimi.

Ata do t’i gjenin një familje ruse.

Ai nuk do t’i shihte më vëllezërit e tij.

Edhe Olena, 850 kilometra larg djalit të saj, mendoi se nuk mund të bënin asgjë më shumë.

Më pas, thotë ajo ndodhi mrekullia.

“Një ditë, disa miq më dërguan një pamje të një fotoje që qarkullonte në Viber”.

Ishte foto ID e Andriit.

“Është postuar nga një bashkëqytetar yni, gjithashtu i dëbuar nga rajoni i Kharkiv-it”.

Imazhi u bë viral dhe Olena u mbështet në një shoqatë që organizoi udhëtimin e saj në Rusi për të shkuar dhe për të rikuperuar djalin e saj të paralizuar.

“Nuk ishte e lehtë të shkoje në Moskë, ishin disa ditë shumë të vështira, për arsye sigurie nuk mund t’ju tregoj itinerarin. Sapo mbërrita në spitalin që më kishin raportuar, pashë djalin tim të shtrirë në një shtrat, ai mund të lëvizte vetëm qafën dhe krahët. U përqafuam. Ai nuk priste të më shihte, nuk mund të ndalonte së qari”.

Olena dhe Andrii qëndruan në Rusi për gati tre muaj, shoqata i ndihmoi të organizonin udhëtimin e tyre të kthimit dhe jetën e re në Zvicër.

Kishte disa mjekë që nuk donin ta linin të ikte, “por e kuptuan që nuk do ta lija kurrë atje”.

‘Në atë spital pashë fëmijë të tjerë të dëbuar”.

Një vajzë e vogël tashmë ishte dhënë për birësim.

“Unë u përpoqa të ndihmoja babanë e saj, por më pas mu desh të largohesha dhe nuk mora më asnjë lajm”.

Sot Andrii vuan nga depresioni dhe është në karrige me rrota, por Olena është e sigurt se do ta rikthejë në këmbë.

“Unë jam nëna e tij dhe jam infermiere”, thotë ajo.

Kur Andrii dëgjon një aeroplan që kalon, ai frikësohet dhe ndonjëherë qan.

Ashtu si kur shpërthen një tullumbace.

Të dy kanë makthe me bombardime natën.

Dhe nëse do ta takonte Putinin, çfarë do t’i thoshte, e pyet stafi i “Corrieres” Olenën.

“Dua të kthehet nëna ime dhe e ardhmja e fëmijëve të mi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore