Lojëra

Dizajni i tullave LEGO, mbrojtje me patentë


Dizajni i tullave plastike të ndërtimit të gjigandit danez të prodhimit të lodrave, LEGO, do të mbrohet me patentë.

Agjencia e lajmeve, DW, zbulon se vendimi është marrë nga Gjykata e Përgjithshme e Bashkimit Evropian (EUG), gjykata e dytë më e lartë e bllokut, e cila rrëzoi një vendim të vitit 2019 nga Zyra e Pronës Intelektuale në Bashkimin Evropian (EUIPO).

Vendimi ka ardhur pasi LEGO ka apeluar vendimin e marrë nga EUIPO me gjyqtarë që shkruanin se “EUIPO shpalli gabimisht të pavlefshëm një dizajn të një tulle të një ndërtese lodrash LEGO”.

Gjithashtu “EUIPO dështoi të shqyrtojë rëndësinë e zbatimit të përjashtimit të mbështetur nga LEGO dhe nuk arriti të marrë parasysh të gjitha tiparet e paraqitjes së tullave”.

DW sqaron se EUIPO në vitin 2019 ishte në anën e kompanisë gjermane të quajtur Delta Sport duke vendosur që modeli i tullave LEGO të diktohej vetëm nga funksioni i tyre teknik.

Por, kjo tregon që blloqet të mbroheshin vetëm për një kohë të kufizuar nga patenta e tyre e dizajnit, çka përbën një rregull të krijuar për të penguar monopolizimin.

Për sa i përket tullës në fjalë, ajo është shumë më e hershme nga sa mendojnë tifozët e kompanisë dhe nuk ishte regjistruar ende për patentën e mbrojtjes së dizajnit deri në vitin 2010.

Për të shmangur imituesit e mundshëm, LEGO ka përdorur një hile në kompletet e saj të ndërtimit në mënyrë që dizajnimi të mos kufizohet qartë në një funksion teknik.

Kjo ka të bëjë me shasinë e pllakave plastike, të cilat kanë gjerësinë e tre sythave që shkojnë vetëm drejt qendrës së pllakës duke e lënë sipërfaqen në të dyja anët e pllakës të jetë e zbutur.

Regjistrimi nga kompania i tullës së re ka ardhur pasi EUG në vitin 2008 dhe Gjykata Evropiane e Drejtësisë (EUcJ) në vitin 2010, vendosën se tulla klasike LEGO nuk gëzon mbrojtje të patentës sepse dizajni i saj diktohet nga funksioni i saj teknik.

“Vendimi konfirmon bindjen tonë të fortë se modeli origjinal duhet të mbrohet ligjërisht nga kopjet”, ka thënë kompania në përgjigje të një pyetje nga agjencia gjermane e shtypi, dpa.

Sipas DW, vendimi i gjykatës do të thotë se EUIPO duhet të rishikojë një klauzolë përjashtimesh që deklaron se pjesët e kombinuara që shfaqin karakteristika inovative dhe që përbëjnë një faktor me rëndësi në marketing, mund të mbrohen edhe nëse janë të një natyre teknike.

Vendimi mund të nënkuptojë edhe detyrimin e kompanive rivale si Delta Sport për të ndaluar shitjet e produkteve të tyre siç ishin dizajnuar në fillesa.

Mirëpo, vendimi i marrë nga EUG nuk është përfundimtar për kompaninë Delta Sport. Ajo ka të drejtën e ankimimit te Gjykata Evropiane e Drejtësisë, e cila është gjykata më e lartë në BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore