Shqipëria

Dita Ndërkombëtare e Zhdukjes së Varfërisë – ku qëndron Shqipëria?


Një ditë që u përket atyre, më të prekshmëve në shoqërinë ku jetojnë.

Një ditë për të kujtuar se, në mbarë botën, ka njerëz të pastrehë dhe se vëmendja duhet të kthehet tek ata.

17 tetori shënjon Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë, shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Që prej vitit 1993, kjo ditë ndërgjegjëson njerëzit kudo në botë, sidomos në vendet në zhvillim, për të çrrënjosur varfërinë.

Si janë statistikat e Shqipërisë me varfërinë?

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, vendi ynë, renditet i pari në Rajonin e Ballkanit Perëndimor për nivelin e varfërisë.

Banka Botërore përllogarit se varfëri relative është ajo popullsi që jeton me më pak se pesë dollarë në ditë.

Përkatësisht 30.8% e shqiptarëve po e vuajnë këtë fenomen, sipas BB-së.

Foto ilustruese

Në vendin e dytë, renditet shteti i Kosovës, me 24.4%, pasuar nga Serbia, me 19.8%, Maqedonia e Veriut me 17.9% .

Mali i Zi duket se ka një përqindje më të ulët të nivelit të varfërisë me 16%.

“Rritja ekonomike”,  në Shqipëri, “jo e barasvlershme me nivelin e varfërisë”

Për tremujorin e dytë të këtij viti, vendi ynë pati një rritje ekonomike prej 17.9%. Shqipëria nuk ka arritur të ulë numrin e popullsisë së saj – një e treta – që po jeton me varfërinë.

Ndonëse të dhënat e fundit zyrtare nga Instituti i Statistikave (INSTAT), janë që prej vitit 2012 – pothuajse që prej një dekade – ku varfëria në Shqipëri rezultonte në masën 39.1%.

Banka Botërore i ka nxjerrë përfundimet në bazë të ecurisë së Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) të secilit shtet.

Produkti i Brendshëm Bruto, sipas Bankës Botërore.
Çfarë ka ndikuar në rritjen e nivelit të varfërisë në Shqipëri?

Sipas të dhënave të fundit të një reviste ekonomike, niveli i lartë i varfërisë ka ardhur për shkak të tërmetit të ndodhur në vitin 2019 dhe pandemisë së COVID-19 (2020-2021).

Një shkak tjetër, është tkurrja e sektorëve të turizmit dhe shërbimeve të lidhura me të.

Në krahasim me vitin 2019 – për tremujorin e dytë – në 2021-shin janë punësuar 33 mijë qytetarë më pak.

Siç analizon Banka Botërore, pandemia do t’i përkeqësojë më tej investimet, rritjen ekonomike etj., dhe kjo do të japë efektin e vet negativ te më të varfrit.

Monedha shqiptare
E ardhmja, më premtuese për Shqipërinë

Deri në vitin 2023, nëse pjesëmarrja në forcën e punës dhe punësimi rritet edhe më shumë, Shqipëria, duke iu referuar Bankës Botërore, mund ta ulë varfërinë deri në 29.3%.

Ndërkaq vlerësimet e fundit të ofruara nga OKB-ja dhe Banka Botërore tregojnë se 10.7% e popullsisë së botës jeton me më pak se 1.90 dollarë në ditë, përkatësisht rreth 767 milionë njerëz.

Dita e 17 tetorit përfaqëson hendekun mes një bote të karakterizuar nga një nivel i lartë i zhvillimit ekonomik, teknologjik dhe burimeve financiare, me një botë që akoma flitet për varfëri ekstreme.

Sipas OKB-së, varfëria nuk është vetëm një çështje ekonomike, por një fenomen shumëdimensional që përfshin mungesën e të ardhurave dhe aftësive themelore për të jetuar në dinjitet.

Në vitin 1987, më shumë se 100 mijë njerëz u mblodhën në Paris, për të nderuar viktimat e varfërisë ekstreme, dhunës dhe urisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore