Euro 2020

Dita e tretë e raundit të 16-ave, kush përballet?


Tashmë kemi mësuar 50 përqindshin e ndeshjeve çerekfinale. Italia do të përballet me Belgjikën. Danimarka do të përballet me Çekinë.

Sot, do të mësohet edhe një 25 përqindsh tjetër. Dy ndeshje të jashtëzakonshme janë në program, për një tjetër ditë magjike të EURO 2020.

Fillimisht, në orën 18:00, Kopenhaga organizon një ndeshje të madhe. Kroacia dhe Spanja përballen në shtëpinë e Danimarkës, shtetit të parë që siguroi kualifikimin tutje.

Kroacia, e cila u kualifikua si e dyta e grupit D, përballet me Spanjën, që u kualifikua si e dyta e grupit E.

Skuadra e Zlatko Dalic do të ketë dy mungesa, që janë Lovren, për shkak të kartonëve të verdhë, dhe Perisic, që me shumë mundësi ka humbur pjesën e mbetur të EURO 2020, për shkak të COVID-19.

Luis Enrique në anën tjetër, vjen pa asnjë mungesë. Këto dy skuadra janë përballur edhe në EURO 2016, me Kroacinë që fitoi atë takim 2-1.

Në Europianin e fundit, të dy këto shtete u eliminuan pikërisht në këtë raund. Ndeshja tjetër zhvillohet në orën 21:00, mes Francës dhe Zvicrës.

Edhe ky është një duel ripërsëritje e EURO 2016. Atëherë Gjelat dhe Helvetët takoheshin në fazën e grupeve, dhe ndeshja përfundonte me rezultat 0-0.

Bukureshti pret ndeshjen e nesërme. Deschamps vjen me dy mungesa, që janë Dembele dhe Digne.

Në dyshim për gjelat janë edhe Hernandez, Lemar e Thuram. Për Vladimir Petkovic, të gjithë futbollistët janë në dispozicion.

Dy fituesit e këtyre ndeshjeve, do të takohen në mes vete më 2 korrik, në çerekfinalen e Shën Petersburgut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore