Shqipëria

Dita e parë me tre mesazhe: Unitet, përulje dhe konsolidim


Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj nisi zyrtarisht detyrën e kreut të shtetit që prej mbrëmjes së 24 korrikut.

Këtë funksion ish-gjenerali pritet ta ushtrojë për pesë vitet e ardhshme në frymën e tre mesazheve të rëndësishme që ndau gjatë fjalës së tij.

Begaj e pikënisi fjalimin e tij të parë si udhëheqës i shtetit me një mesazh drejt së ardhmes së vendit.

“Shqipëria evropiane, sot premtim dhe nesër realitet është kurora e ëndrrës më të bukur të popullit shqiptar”.

Presidenti e konsideroi emërimin e tij gjatë të dyja fjalimeve të tij si “përgjegjësi në një moment historik”.

“Jam i vetëdijshëm se mbi privilegjin e Presidentit të Republikës, rëndon përgjegjësia e unitetit kombëtar”, theksoi Begaj.

Për të treguar faktorin super partes kreu i shtetit rezervoi konsolidimin e parë në retorikë mes mazhorancës dhe opozitës.

Sa i takon qeverisë, Begaj nënvizoi se e njeh, mbështet dhe respekton punën e saj.

Por, shtoi presidenti, përpjekja dhe dëshira nuk justifikojnë asnjë dështim.

Ndërsa në lidhje me opozitën, Begaj ravijëzoi se do të dëshironte nga ky pol që të mos shihet “konflikti para bashkëpunimit”.

Kjo, referuar mospjesëmarrjes së PD-së zyrtare në “Seancën e Betimit”.

“Nuk do të qëndroj neutral ndaj asnjërit që vendos interesat politike mbi atë të Kombit”, ishte mesazhi i radhës nga Begaj.

Ai garantoi se do të mbështesë dhe këmbëngulë për bashkëpunimin mes të gjitha forcave politike.

“Të largohemi nga politika e konfrontimit dhe ta zëvendësojmë atë me politikën e dialogut. Nevojitet unitet më shumë se çdo herë, për të siguruar vitalitetin e kombit tonë”.

Urimet

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, uroi i pari presidentin e ri të Shqipërisë, Bajram Begaj.

“Urime Bajram Begaj për betimin si President i Shqipërisë”, shkruante Borrell në statusin e tij.

Shefi i diplomacisë shtoi se mandati i ish-gjeneralit si president vjen në një moment historik për Shqipërinë në rrugën drejt BE-së.

“Në pritje të vazhdojmë të ecim përpara në rrugën tonë të përbashkët në BE. Së bashku ne jemi më të fortë”, përmbylli Borrell.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel uroi gjithashtu Begajn për marrjen e detyrës si President i Shqipërisë.

“Me hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, jemi në një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet BE-Shqipëri. Në pritje të ndërtojmë së bashku të ardhmen tonë të përbashkët”, shkruante Michel.

Urimeve iu bashkangjit edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

“Urime Bajram Begajt për inaugurimin e tij si President i ri i Shqipërisë. Ne mezi presim të punojmë me Presidentin Begaj për thellimin e partneritetit të qëndrueshëm SHBA-Shqipëri, forcimin e demokracisë së Shqipërisë dhe mbrojtjen e paqes dhe sigurisë si aleatë të NATO-s”, theksonte diplomatja amerikane.

Ambasadori britanik Alastair King-Smith mori pjesë po ashtu në ceremoninë e betimit të Presidentit të ri të Shqipërisë.

Diplomati britanik nënvizon në Twitter se “Mbretëria e Bashkuar mirëpret fokusin e Begajt në mbrojtje të Kushtetutës dhe në shërbim të popullit”.

Kush është Bajram Begaj

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Bajram Begaj u zgjodh si kandidat nga kryesia e Partisë Socialiste për kreun e shtetit në Shqipëri.

Begaj u lind më datë 20 mars të vitit 1967, në Rrogozhinë. Ai do të përfundonte studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Degën Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1989 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998.

Gjeneral Major Begaj ka përfunduar “Doktoraturën në Fushën e Mjekësisë”, në Shqipëri, si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi.

Gjatë karrierës 31-vjeçare ushtarake ka kryer Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen; Shkollën e thelluar pasuniversitare të mjekësisë, Specializimin Pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, Kursin e menaxhimit spitalor dhe Kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe Kursin epecializimit në fushën e mjekësisë dhe Kursin e Shëndetësisë, në Greqi.

Sakaq, Gjeneral Major Begaj ka drejtuar stërvitjen ushtarake “Defender Europe 2021” dhe është një nga emrat, i cili gëzon konsideratë të lartë nga SHBA-të.

Ndërkohë që, në Forcat e Armatosura ka mbajtur një sërë detyrash, mes të cilave Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe Zëvendësdrejtor Ushtarak i SUT, Drejtor i Spitalit Ushtarak, Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoriatit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm Ushtarak Qendror Universitar.

Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore