Shqipëria

Dita e Merkel – Vizita e fundit si kancelare


Të martën e 14 shtatorit, Angela Merkel do të zhvillojë vizitën e saj të fundit në Shqipëri si Kancelare e Republikës Federale të Gjermanisë.

Pasi përmbylli vizitën e saj në Serbi më 13 shtator, ku u takua me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, Merkel pritet të vizitojë Shqipërinë.

Në Tiranë është planifikuar një takim me kryeministrat e të gjashta shteteve të Ballkanit Perëndimor që nuk janë anëtarë të BE-së; Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, pritet të mbërrijë në kryeqytet gjatë paradites.

Zyra për mediat e Kryeministrisë ka bërë publike edhe agjendën  e vizitës së kancelares.

Fillimisht, ajo do të pritet me një ceremoni në Pallatin e Brigadave, e parashikuar në orën 10:20.

Itinerari do të zhvendoset në orën 11:00, te Tirana Business Park, në zonën e Rinasit, ku të pranishëm do të jenë edhe krerët e qeverive të Ballkanit.

Më pas, Merkel dhe Rama do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Vizita e Angela Merkel në Tiranë më 8 korrik 2015
Agjenda

0.20 – Ceremonia e mikpritjes në Pallatin e Brigadave

10.30 – Takim mes kryeministrit Edi Rama dhe kancelares Angela Merkel në Pallatin e Brigadave

11.00 – Takim bilateral mes dy delegacioneve në Pallatin e Brigadave

11.50 – Mbërritja e kryeministrit dhe krerëve të qeverive të Ballkanit në Tirana Business Park.

11.55 – Mbërritja e kancelares Merkel në Tirana Business Park

12.00 – Foto familjare me krerët e delegacioneve në Tirana Business Park.

14.35 – Konferencë për shtyp mes kryeministrit Rama dhe Kancelares Merkel në Tirana Business

Vizita “e fundit” si kancelare në Tiranë

Kjo vizitë e Merkel-it do të jetë e fundit si kancelare jashtë shtetit. Ajo ka zgjedhur pikërisht Shqipërinë për të takuar liderët e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.

Iniciativa e nisur nga Merkel dhe e pagëzuar si “Procesi i Berlinit” ka qenë ndërmarrja dhe suksesi më i madh i kancelares, e cila tashmë po afron dy dekada në pushtet.

Burime të Albanian Post nga Berlini kanë bërë me dije se takimi i Tiranës do të jetë edhe një tentativë e fundit që Merkel t’i japë një shtytje partisë së saj, Unionit Kristian-Demokratik (CDU), në zgjedhjet që pritet të mbahen më 26 shtator.

Veç kësaj, burimet thonë se është zgjedhur Tirana, si notë falënderuese e Merkel-it për qeverinë shqiptare dhe kryeministrin Edi Rama, si lideri më aktiv dhe influencues në shtyrjen përpara të synimeve të Procesit.

Masat policore

Policia e Shtetit në një deklaratë zyrtare ka bërë me dije masat e reja të ndërmarra në kuadër të vizitës së kancelares gjermane, Angela Merkel, në Tiranë më 14 shtator.

Në disa segmente rrugore, për motive sigurie, do të ketë bllokime dhe devijime të lëvizjes së automjeteve, konkretisht në Rinas-Unaza e Re, Sauk, Rruga e Elbasanit deri te Pallati i Brigadave.

Policia e Shtetit ka kërkuar mirëkuptimin e drejtuesve të automjeteve që të shmangin lëvizjen në këto segmente rrugore, me qëllim moskrijimin e mbingarkesës në trafik nga ora 09:00 deri në orën 13:00 .

Ajo iu ka bërë thirrje që të përdorin rrugë alternative për të shkuar në destinacionet e tyre.

Deklaratat në Serbi

Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se një nga qëllimet e Gjermanisë është bashkimi i gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, por ato kanë një “rrugë të gjatë” për të bërë para se të hyjnë në bllok.

Merkel i bëri komentet nga Beograd në një konferencë të përbashkët shtypi me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç, me të cilin u takua fillimisht.

Takimi i 13 shtatorit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç

Ky është udhëtimit i saj i “lamtumirës” në rajon, ndërsa mandati i saj si kreu i qeverisë gjermane po përfundon.

Pas 16 vitesh në majën e politikës evropiane, Merkel do të tërhiqet në fund të mandatit të saj të katërt si kancelare pas zgjedhjeve gjermane më 26 shtator.

Vizita e saj në Ballkan vjen gjithashtu përpara samitit të ardhshëm BE-Ballkan në muajin tetor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore