Libra

‘Dita Botërore e Librit’, pse pikërisht më 23 prill?


Ideja e përkujtimit të “Ditës Botërore të Librit”, e ka origjinën e vet në Spanjë, saktësisht në zonën e Katalonjës, ku në kohërat antike, kur njerëzit blinin një libër, atyre u dhurohej edhe një trëndafil.

Ndërsa, data 23 prill është shpallur si “Dita Botërore e Librit” më 15 nëntor të vitit 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive, mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive dhe se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor.

Por, si ditë botërore, festimi i masiv i kësaj dite ka nisur të realizohet që nga viti 2003.

Po ashtu, më datë 23 të muajit prill, janë ndarë nga jeta disa legjenda të shkrimit të suksesshëm që, me veprat e tyre, i rezistuan kohës duke siguruar një vend në piedestal edhe sot pas shumë shekujsh.

Më 23 prill të vitit 1616 u ndanë nga kjo botë tre shkrimtarët e famshëm në mbarë globin, Miguel de Cervantes, William Shakespeare dhe Garcilaso de la Vega, i njohur si Inca.

Dita e njëzet e tretë e muajit prill, mes të tjerash shënon vdekjen edhe të disa shkrimtarëve të tjerë, por edhe lindjen e disa të tjerëve, si; Maurice Druon, Laxness, Vladimir Nabokov, Joseph Pla dhe Manuel Mejia Vallejo.

Ndryshe, suksesi i librit dhe i të drejtës autoriale varet kryesisht në mbështetjen që duhet marrë nga të gjitha palët e interesuara ku bëjnë pjesë autorët e librit, botuesit, mësuesit, bibliotekistët, institucionet publike dhe private, OJQ-të dhe mediat.

Duke qenë një nga mjetet më të vjetra të komunikimit dhe shpërndarjes, libri jo vetëm që ka ndikim shpirtëror, arsimor dhe kulturor, por ai përfshin edhe aspektet ligjore ekonomike të tregtisë botuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore