Sport

Distria Krasniqi e argjendtë në Gjeorgji


Distria Krasniqi

Xhudistja që përfaqëson Kosovën në Grand Slam-in e Tbilisit në Gjerogji, Distria Krasniqi ka humbur në finale, duke siguruar kështu medaljen e argjendtë.

Distria u ndesh në finale me garuesen nga Uzbekistani, Diyora Keldiyorova, në kategorinë -52 kilogramë.

Krasniqi në raundin e parë ishte e lirë, në raundin e dytë mposhti me Ippon garuesen nga Afrika e Jugut, Charne Griesel, në çerekfinale mposhti prapë me Ippon gjermanen, Amber Ryheul. Në gjysmëfinale, Distria mundi gjermanen, Mascha Ballhaus.

Kjo është medalja e parë për Kosovën në këtë Grand Slam, por nuk do të jetë e vetmja. Nora Gjakova gjithashtu ka një finale për të luajtur dhe tashmë ajo e ka siguruar medaljen e argjendtë.

Gjakova në finale do të ndeshet me serben, Marica Perisic.

Kujtojmë që në këtë garë marrin pjesë 419 garues nga pesë kontinente dhe 61 vende të ndryshme të botës. 221 prej të cilëve janë meshkuj dhe 198 femra.

Kosova përfaqësohet me gjashtë xhudistë në këtë Grand Slam. Distria Krasniqi (-52 kg), Erza Muminoviq (-52 kg), Nora Gjakova (-57 kg), Flaka Loxha (-57 kg), Laura Fazliu (-63 kg) dhe Loriana Kuka (-78kg).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore