Lajme

“Diskriminim dhe pasivizim i adresave për shqiptarët etnikë dhe kërcënime ndaj gazetarëve” – Çfarë thuhet në raportin e DASh-it për Serbinë?


Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut për vitin 2022 në Serbi i publikuar këtë të hënë ka vënë në pah diskriminimin e shqiptarëve etnikë që jetojnë në Serbi dhe po ashtu ka përmendur pasivizimin e adresave.

“Shqiptarët etnikë ishin subjekt i diskriminimit dhe papunësisë disproporcionale. Udhëheqësit shqiptarë etnikë në Serbi pretenduan se qeveria i nënshtronte në mënyrë disproporcionale shqiptarët etnikë ndaj “pasivizimit” për të zvogëluar numrin zyrtar të shqiptarëve etnikë që jetojnë në Serbi”, thuhet në raport.

Tutje, duke iu referuar raportit të vitit 2021 nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, thuhet se zbatimi “joproporcional i këtij ligji nga qeveria që synonte shqiptarët – përbënte ‘spastrimin etnik me mjete administrative’”.

“Raporti vuri në dukje se individët e pasivizuar nuk mund të rinovojnë kartën e identitetit ose pasaportën e tyre të skaduar, pa të cilën ata nuk ishin në gjendje të regjistronin një makinë, të kishin akses në kujdesin shëndetësor ose shërbime sociale (përfshirë pensionet), të blinin ose shesin prona ose të votonin në zgjedhjet lokale ose të përgjithshme”.

Ndërkaq, aty është përmendur se shumë persona që janë përballur me këtë fenomen, kanë raportuar se “për pasivizimin e tyre dhe shumica mësojnë se janë pasivizuar shumë kohë pas faktit kur tentonin të rinovonin dokumentet e tyre të identitetit”.

Përveç kësaj, raporti ka përmendur edhe tre vëllezërit Bytyqi të vrarë dhe të zhdukur nga autoritetet serbe në vitin 1999, dhe vazhdon “qeveria (Serbisë) nuk bëri përparim të rëndësishëm drejt sigurimit të drejtësisë për viktimat”.

“Sipas OWCP, zhdukja dhe vrasja e Yllit, Agronit dhe Mehmet Bytyqit në vitin 1999, tre vëllezër kosovaro-amerikanë, mbeti nën hetim. Vëllezërit Bytyqi u arrestuan në Serbi në kufirin me Kosovën, u ekzekutuan dhe u varrosën në një qendër trajnimi policor në Petrovo Selo, një objekt policor i Ministrisë së Brendshme të Serbisë (MPB) i komanduar nga ish gjenerali i MPB-së, Goran Radosavljeviç”.

Gjithashtu, raporti i DASh-it thekson edhe kërcënimet që gazetarët në Serbi marrin gjatë punës së tyre, dhe këtu përmendet kërcënimi i kryeredaktorit të medias opozitare serbe Danas, Dragoljub Petroviç – për shkak të qëndrimeve editoriale për çështjen e Kosovës, e të tjera.

“Në nëntor, kryeredaktori i gazetës Danas, Dragoljub Petroviç, mori një email që kërcënonte gazetarët, redaktorët dhe kolumnistët e Danas me një “breshëri plumbash” për shkak të pozicionit të tyre editorial mbi çështjet që lidhen me Kosovën, Republika Srpska dhe EuroPride”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore