Lajme

Diplomatja ruse propozon mbylljen e ambasadës në Bullgari


Ambasadorja ruse në Bullgari Eleonora Mitrofanova synon të ngrejë një propozim me udhëheqjen e Federatës Ruse për mbylljen e ambasadës në Sofje.

Lajmi u bë i ditur nga agjencitë bullgare, duke cituar deklaratën e publikuar në faqen e misionit diplomatik rus në Facebook.

“Fatkeqësisht, apeli ynë drejtuar Ministrisë së Jashtme bullgare u shpërfill. Në këtë drejtim, kam ndërmend të ngre menjëherë çështjen me udhëheqjen e vendit tim për mbylljen e ambasadës ruse në Bullgari, e cila do të çojë në mënyrë të pashmangshme në mbylljen e misionit diplomatik bullgar në Moskë”, theksoi Mitrofanova në njoftimin e saj.

Mitrofanova ia ngarkoi autoriteteve bullgare përgjegjësinë për pasoja të tjera të rënda.

Ndaj deklaratës së Mitrofanova-s ka reaguar tashmë edhe sekretari për shtyp i Presidentit të Federatës Ruse, Dmitry Peskov.

“Çështja e mbylljes së ambasadës ruse në Bullgari do të shqyrtohet nga Ministria e Jashtme ruse dhe nëse është e nevojshme, do t’i bëhet një raport presidentit”, shtoi ai në një koment për mediat.

Më 28 qershor, kryeministri në largim i Bullgarisë Kiril Petkov njoftoi dëbimin e 70 diplomatëve rusë.

Sipas tij, ata kanë punuar për shërbimet sekrete, duke përdorur si mbulesë aktivitetet diplomatike.

Referuar versionit zyrtar të Ministrisë së Jashtme bullgare, u vendos që numri i diplomatëve rusë të barazohet me numrin e diplomatëve bullgarë që punojnë në Rusi.

Më 30 qershor, Eleonora Mitrofanova i dërgoi një notë Ministrisë së Jashtme bullgare, ku kërkonte ndryshimin e vendimit për dëbimin e diplomatëve.

Më vonë, Ministria e Jashtme bullgare hodhi poshtë notën e ambasadës ruse dhe tha se nuk do të ndryshonte vendimin e saj për të dëbuar 70 diplomatët rusë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore