Lajme

Diplomati kinez thotë që nuk do të ketë shkrirje të menjëhershme të marrëdhënieve me Australinë


Një diplomat kinez ka treguar se nuk do të ketë shkrirje të menjëhershme në marrëdhëniet e Pekinit me Australinë. Kjo pasi Pekini i konsideron vendimet e qeverisë australiane si shkaktare për ngrirjen e marrëdhënieve bilaterale.

“Politika jonë ndaj Australisë ka qenë e qëndrueshme gjatë gjithë rrugës,” u tha gazetarëve të mërkurën, nënkryetari i ambasadës kineze, Wang Xining.

“Ne nuk kemi bërë asgjë për të dëmtuar këtë marrëdhënie, por, gjatë viteve të fundit, kemi parë shumë incidente, në të cilat interesi i Kinës është dëmtuar”.

I pyetur se çfarë mund të bënte qeveria australiane për të riparuar lidhjet, Wang tha se duhet të respektojë sovranitetin dhe “të përmbahet nga ndërhyrja në punët e brendshme të të tjerëve”, të shmangë veton e investimeve kineze në Australi dhe të mos “pengojë programet e shkëmbimit midis njerëzve”.

Tensionet e nxehta gjeopolitike e kanë origjinën që në 2018-ën, kur qeveria australiane bllokoi kompaninë teknologjike, Huawei Technologies Co., për te ndërtuar rrjetin 5G të vendit. Por, mosmarrëveshjet u përshkallëzuan kur Australia bëri thirrje që disa hetues të pavarur shkojnë në Wuhan për të hetuar origjinën e coronavirus-it. Kjo ka shkaktuar një reprezalje shkëmbimit të mallrave midis dy vendeve.

Kina ka synuar të bllokojë një sërë produktesh australiane, duke përfshirë qymyrin, verën dhe elbin.

Mosmarrveshjet e Kinës me Australinë dhe aleatët e saj

Ky vit, akoma nuk ka sjellë goditje të reja tregtare, por komentet e Wang sugjerojnë që marrëdhënia ende nuk ka arritur në një kompromis.

Kryeministri australian, Scott Morrison, sinjalizoi se qeveria e tij nuk do të përkulej para kërkesave të Pekinit.

Muajin e kaluar, Morrison u bashkua me udhëheqësit e SHBA-së, Indisë dhe Japonisë për takimin e parë të të ashtuquajturit Quad, një grup që kërkon mënyra për t’iu kundërvënë rritjes së ndikimit të Kinës.

Wang shprehu zemërimin për lëvizjen e Australisë kundrejt Huawei-t, e cila më vonë u pasua nga shtetet e tjera, përfshirë SH.B.A.

“Australia ishte e para që ndaloi kompaninë Huawei të futej në industrinë e brendshme të telekomunikacionit. Australia madje i bindi të tjerët të ndiqnin të njëjtin shembull,” tha ai.

“Unë mendoj se Australia u bashkua me Shtetet e Bashkuara për të shtypur në mënyrë jo etike, të paligjshme dhe të pamoralshme, kompanitë kineze”.

Në një akuzë drejtuar qeverive, kompanive dhe industrive që bëjnë para nga Kina, por duke mos ndjekur vijën e Pekinit për çështje të caktuara, ai tha se Kina “nuk është një lopë. Unë nuk mendoj se dikush duhet të dashurojë idenë të mjelë Kinën kur ajo është në fazën e saj më të mirë dhe të komplotojë për ta therë atë në fund”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore