Lajme

Diplomatët e lartë të Armenisë dhe Azerbajxhanit mbajnë bisedime paqeje në Gjenevë


Ministrat e Jashtëm të Armenisë dhe Azerbajxhanit kanë zhvilluar bisedime në Gjenevë për një traktat të ardhshëm paqeje.

Kjo sipas zyrtarëve në Baku dhe Jerevan.

Muajin e kaluar, të paktën 286 njerëz u vranë nga të dyja anët përpara se një marrëveshje e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara t’i jepte fund përleshjeve më të këqija që nga lufta e fqinjëve të Kaukazit në vitin 2020.

Baku dhe Jerevani zhvilluan dy luftëra – në 2020 dhe në vitet 1990 – për rajonin e kontestuar të Nagorno-Karabakh, një enklavë e Azerbajxhanit e populluar nga armene.

Ministri i Jashtëm i Armenisë, Ararat Mirzoyan, dhe homologu i tij azerbajxhanas, Jeyhun Bayramov, u takuan të dielën në Gjenevë për të filluar “hartimin e tekstit të traktatit të paqes”.

Bisedeime pasuan takimin e ndërmjetësuar nga BE më 31 gusht në Bruksel midis presidentit të Azerbajxhanit Ilham Aliyev dhe kryeministrit armen, Nikol Pashinyan.

“Azerbajxhani bëri thirrje për tërheqje të plotë të njësive të armatosura armene nga territoret e Azerbajxhanit, hapjen e linjave të transportit dhe komunikimit”, tha ministria në një deklaratë.

Ministria e Jashtme e Armenisë tha se palët shkëmbyen ide mbi traktatin e paqes, duke siguruar të drejtat dhe garancitë e sigurisë së armenëve të Nagorno-Karabakut.

Ajo ripohoi kërkesat e saj për “tërheqjen e trupave të Azerbajxhanit nga territori sovran i Armenisë”, lirimin e të burgosurve dhe “futja e mekanizmave ndërkombëtarë për kontrollin e situatës në kufi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore